Tjetër viktimë në Paris, grua e vrarë gjatë bastisjes në shtëpinë e terroristëve

20/11/2015 00:00

Një trup i tretë i pajetë u gjet në apartamentin e mësyrë nga forcat franceze të policisë, në lagjen periferike të Parisit, Saint Denis. Autoritetet konfirmuan se bëhet fjalë për një grua, por pa dhënë detaje mbi identitetin e saj.

Në një çantë dore, në vendngjarje u gjet nga ana tjetër një pasaportë me emrin e Hasna Aitboulahcenit, e reja që hodhi veten në erë, kur efektivet sulmuan banesën mëngjesin e së mërkurës.

Zyrtarisht, nga të vrarët gjatë blicit ka vetëm një të identifikuar: kreu i grupit që organizoi e ndërmori sulmet e Parisit, Abdelhamid Abaaoud. Lajmi se belgu, që figuronte në listën ndërkombëtare të personave më të kërkuar e ishte një figurë mjaft e njohur e ISIS-it, ka udhëtuar nga Siria në Europë pa rënë fare në sy, ngjalli shqetësim mbi sigurinë e kufijve të Bashkimit Europian.

Në fakt, sipas “think tank”-ut “Neë America” me seli në Uashington, Europa është sot mjaft e rrezikuar nga ISIS-i, edhe më shumë sesa vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Raporti i tij me titull “Fytyrat e reja të ekstremizmit” hedh një vështrim të imtësishëm mbi 457 individë nga 25 shtete perëndimore, që i janë bashkuar Shtetit Islamik për të parë cilët janë e përse vendosin të bashkohen me militantët.

Statistikat janë befasuese: femrat, sipas raportit në fjalë, përbëjnë gati një të shtatën e xhihadistëve nga Perëndimi. Është në rritje numri i vajzave që shkojnë në Siri, e një pjesë e tyre rezultojnë edhe të mirarsimuara. Mesatarja e moshës së femrave të rekrutuara, sipas zëvendëspresidentit të “Neë America”-s, Peter Bergen, është 21 vjeç; te meshkujt është 25.

Gati një në 5 të rekrutuar janë adoleshentë. Por çuditërisht, rezulton mjaft i lartë edhe niveli i vdekjeve mes perëndimorëve, që kanë zgjedhur të luftojnë në krah të ekstremisteve të Shtetit Islamik. Raporti tregon se, gati 40% e tyre janë vrarë, përfshirë 6% që janë gra, edhe pse ISIS-i pretendon se femrat nuk para vendosen në zona luftimi.

Në total, numri i perëndimorëve që luftojnë me grupet xhihadiste në Irak e Siri llogaritet të jetë diku te 4.500 vetë, dhe numri më i madh i rekrutëve janë nga Belgjika, Franca e Britania e Madhe.

Top Channel