Mali, merr fund pengmarrja; viktima gjatë operacionit të specialeve

20/11/2015 17:10

Makthi i pengmarrjes së hotelit në Mali përfundoi tragjikisht. Pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë, shumica e pengjeve u shpëtuan, ndërsa 27 vetë u gjetën të vdekur, mes tyre edhe 3 terroristë.

Grupi që mori përgjegjësinë për mësymjen e hotelit është Al-Mourabitoun, ndryshe njihen si terroristët afrikanë, degë e Al Kaedës e bazuar në veri të Malit. Ata mbajtën peng 170 persona në hotelin “Radisson Blue”.

Identiteti i viktimave do të verifikohet në vijim nga autoritetet, megjithëse burimet thonë se ata janë turistë perëndimorë. I vetmi që është identifikuar është Geoffrey Dieudonne, një anëtar i parlamentit në rajonin e Belgjikës, Wallonia.

Agresorët e nisën sulmin e tyre me thirrjen “Allahu Akbar”, term që i ka shoqëruar të gjitha masakrat në emër të terrorizmit.

Hoteli me pronarë amerikanë frekuentohet nga të huajt, ku klientë të përhershëm janë edhe ekuipazhet franceze që punojnë për linjat ajrore France-Mali.

Në muajin gusht, një person hapi zjarr dhe vrau 13 vetë, 5 nga të cilët punonjës të Kombeve të Bashkuara gjatë një episodi të ngjashëm në një hotel të qytetit Sevare.

Franca, ish-fuqi kolonizatore e këtij vendi, ndërhyri atje ushtarakisht janarin e 2013-ës kur militantë të lidhur me Al Kaedën kërcënuan të marshonin drejt Bamakos, pasi kishin marrë nën kontroll pothuajse të gjithë rajonet veriore.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Mali këshilloi qytetarët amerikanë atje të shmangin daljen nëpër rrugët e kryeqytetit, pasi situata është e rënduar dhe kaotike.

Pavarësisht arritjes së një marrëveshje paqeje qershorin e këtij viti, pjesë të tëra në Mali vazhdojnë të mbeten jashtë kontrollit. Franca vazhdon të ketë të paktën 1.000 trupa të stacionuara në këtë shtet.

Top Channel