Tri subjektet opozitare në Kosovë, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA, do të organizojnë një manifestim në ditën e flamurit kombëtar kundër marrëveshjeve me Serbinë, demarkacionit me Malin e Zi dhe kundër Qeverisë së Kosovës.
Përmes një komunikate për media, subjektet opozitare kanë njoftuar se manifestimi do të mbahet më 28 nëntor 2015, në orën 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
“Populli i Kosovës nuk mund të heshtë para një qeverie të tillë. Në këtë manifestim do të shprehet masivisht vullneti i qytetarëve të Kosovës për një shtet sovran e funksional. Për një shoqëri të barabartë dhe jo të ndarë në baza etnike”, thuhet në njoftimin e subjekteve opozitare.
Ky manifestim i opozitës, sipas komunikatës së tyre, vjen pas një sërë diskutimesh, protestave, peticionit dhe gjithë përpjekjeve tjera për të kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë dhe atë me Malin e Zi.
Top Channel