Publikohen detaje të reja për mbajtësin e pasaportës siriane

15/11/2015 21:45

Poseduesi i një pasaporte siriane të gjetur pranë trupit të njërit prej sulmuesve që humbën jetën në sulmet e Parisit, është regjistruar si refugjatë në disa shtete europiane muajin e kaluar.

Autoritetet greke e kanë identifikuar 25-vjeçarin Ahmad Almohammad, nga qyteti verilindor sirian i Idlibut, duke deklaruar se ai ka hyrë në Europë përmes ishullit grek të Leros, duke u proceduar më 3 tetor.

Franca nuk ka deklaruar publikisht se mbajtësi i pasaportës është një i dyshuar, por ministri grek i Emigracionit, Yannis Mouzalas tha se autoritetet franceze ia kanë bërë të qartë palës greke se dyshojnë që Almohammad, pasaporta e të cilit është gjetur jashtë stadiumit “Stade de France”, është njëri nga sulmuesit.

Mouzalas, në një konference për shtyp, deklaroi se 25-vjeçari ishte ne mesin e 198 refugjatëve që erdhën nga Turqia. Në Leros pala greke e ka regjistruar duke lënë edhe shenjat e gishtërinjëve, si dhe e kanë pajisur me lejeqendrim 6-mujor me mundësi për të kërkuar edhe azil.

Ndërkohë, disa ditë më vonë, ai është regjistruar në vendkalimin kufitar mes Maqedonisë dhe Serbisë, duke hyrë në shtetin serb.

Informacioni ka shumë rëndësi, pasi nëse njëri prej sulmuesve të Parisit ka hyrë në Europë si refugjatë, atëherë vendet europiane mund të ndryshojnë strategjinë rreth pritjes së tyre si dhe do të ishte një goditje e fortë për politikën e dyerve të hapura të Angela Merkel.

“Njëri nga të dyshuarit si terrorist, A.A., i cili po hetohet nga agjencitë e sigurisë në Francë, është regjistruar në pikën kufitare të Preshevës më 7 tetor të këtij viti, ku ai kërkoi zyrtarish azil. Të dhënat e tij të verifikuara konifrmojnë se i njëjti është regjistruar edhe në Greqi më 3 tetor. Nuk kishte asnjë urdhër ndalese nga Interpoli për këtë person”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë.

Ndërkohë, një zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme kroate tha se ky person është regjistruar na kampin e refugjatëve në Opatovac më 8 tetor, ku më pas ka shkuar në Hungari për të vazhduar drejt Austrisë.

“Nuk kishte asnjë asnjë rekord kriminal në kohën e regjistrimit dhe nuk kishim asnjë arsye pse duhet ta arrestonim”, deklaroi ajo.

Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme austriake, Karl-Heinz Grundboeck tha se ishin “hamendësime dhe spekulime” raportimet se mbajtësi i kësaj pasaporte kishte kaluar nëpër Austri.

Ndërkohë, ministri grek i Emirgacionit, Mouzalas tha se nuk duhet që terroristët të barazohen me refugjatët dhe se mbyllja e dyerve për këta të fundit nuk është zgjidhje e problemit të terroristëve.

FOTO GALERI
4/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA