Rrëzimi i avionit rus, përgjimet ngrejnë dyshime për xhihadistë britanikë

08/11/2015 00:00

Britanikët janë të sigurtë se, avioni rus i rrëzuar javën që shkoi në gadishullin e Sinait është shkatërruar nga një bombë dhe, këtë bindje e mbështesin te përgjimet e komunikimeve mes disa anëtarëve të ISIS-it.

Ndërmjet tyre mendohet të ketë pasur edhe xhihadistë britanikë. Antenat elektronike, – bëjnë të ditur mediat italiane, – kanë arritur të tërheqin biseda që paraprijnë, shoqërojnë e ndjekin një sulm “të rëndësishëm”.

Burime të inteligjencës amerikane, të cituara nga “New York Times”, sqarojnë se kanë në duart e tyre një regjistrim të konsiderueshëm: atë të një bashkëbisedimi, ku ekstremistët flasin për diçka “të madhe” që pritet të ndodhë.

Pjesa tjetër e materialit është përftuar pas katastrofës, e aty xhihadistët përgëzojnë të kënaqur njëri-tjetrin për rezultatin. Për ekspertët, megjithatë, kaq nuk mjafton që të bëhet lidhja me ngjarjen e Sinait, sepse ndonjëherë – sqarojnë ata, – ndodh që militantët të gëzojnë qoftë edhe me një fatkeqësi natyrore të përplasur mbi një vend armik.

Londra vazhdon të jetë ajo më këmbëngulësja në hipotezën e atentatit. Raportet në mediat atje lënë të kuptohet se, ka pasur një person të infiltruar në një grup shumë pranë bërthamës së militantëve, që mbase janë përgjegjësit e rrëzimit të avionit rus.

Në radhët e Shtetit Islamik, në fakt, nuk janë të paktë elementët me origjinë britanike. Pavarësisht treguesve përherë e më të shumtë, se shkaku i rrëzimit ishte një bombë, kreu i ekipit të hetuesve egjiptianë deklaroi një ditë më parë se, ende nuk jane arritur konkluzionet përfundimtare në lidhje me incidentin ajror.

Një zhurmë e pashpjegueshme në sekondën e fundit të regjistrimeve në audio nga kabina e pilotit të avionit ka tërhequr vëmendje të madhe, por kreu i ekipit të hetuesve egjiptianë, Ayman al-Muqaddam sqaroi se, ekipi i tij nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë nëse zhurma sinjalizon një shpërthim, apo diçka tjetër.

Ministri i Jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry, sakaq akuzoi Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe vendet e tjera, që nuk ndajnë me Egjiptin të dhënat e zbulimit mbi rrëzimin e avionit rus të udhëtarëve, javën e kaluar.

Top Channel