Në universitetin e Elbasanit është përkujtuar 80-vjetori i lindjes së shkrimtarit Bilal Xhaferri. Në konferencën e organizuar nga Departamenti i Gazetarisë në bashkëpunim me Shoqatën Atdhetare Kulturore “Çamëria”, merrnin pjesë pedagogë, studiues, bashkohës të shkrimtarit si dhe studentë të universitetit.
Presidenti i PDIU Tahir Muhedini i ftuar në takim ka reaguar pas deklarimeve një ditë më parë në Kuvend në lidhje me ligjin e luftës që ekziston ende në Greqi dhe që penalizon shqiptarët e Çamërisë.
“Kemi 25 vjet demokraci dhe besoj keni dëgjuar dhe ju nga politika shqiptare që kemi marrëdhënie të mira me Greqinë. Unë gjithmonë kam thënë jo vetëm në Shqipëri po dhe jashtë Shqipërisë, që politika nuk ka nevojë të bëjë sqarime kot falsifitete që ne kemi marrëdhënie të mira. Si mund të kesh marrëdhënie të mirë me një shtet që ka gjendje lufte ndaj teje. Kjo rezolutë duhet të vihet në politikën e ministrisë së Jashtme që të diskutohet zgjidhja e problemit çam”, thaTahir Muhedini, President i PDIU.
Muhedini shtoi gjithashtu se Greqia e përdor këtë ligj për të penguar Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit drejt BE, ndaj dhe sipas tij me ndihmën e Bashkimit Europian, Shqipëria dhe Greqia duhet të ulen në tryezën e bisedimeve për të vendosur shfuqizimin e ligjit të luftës mes dy vendeve.
Top Channel