Pakistan, operacion i madh shpëtimi pas shembjes së fabrikës

05/11/2015 00:00

Një operacion i madh shpëtimi po zhvillohet në Lahore të Pakistanit, për të shpëtuar dhjetëra njerëz që besohet të jenë bllokuar nën rrënoja, pas shembjes së një fabrike. Të paktën 17 persona humbën jetën pasi fabrika, e cila ishte ende në ndërtim,  u shemb të mërkurën.

Vinça dhe buldozerë po përdoren si pjesë e operacionit, ndërsa grupeve të shpëtimit i është bashkuar edhe ushtria. Shkaku i shembjes së godinës nuk dihet ende, por nivelet e sigurisë në Pakistan janë shpesh nën standardet e nevojshme.

Siç mësohet, vetëm dy kate të fabrikës së pozicionuar në periferi të Lahores po shfrytëzoheshin, nga rreth 200 punëtorë që gjendeshin në momentin e aksidentit, ndërsa kati i 3-të ishte në ndërtim.

Sipas një përfaqësuesi të grupeve të shpëtimit, 98 persona ishin nxjerrë të gjallë nga rrënojat dhe ishin dërguar në spital. Ai tha se ishte ende e vështirë të përcaktohej numri i saktë i personave, që janë ende të bllokuar, pasi mes tyre besohet të jenë edhe pronari dhe punonjës të tjerë të administratës së biznesit.

Raste të ngjashme kanë ndodhur në Lahore edhe në të kaluarën. Në muajin shtator, të paktën 24 persona u vranë pas shembjes së tavanit të një xhamie. Ndërkohë 17 të tjerë, përfshirë edhe fëmijë, humbën jetën pas shpërthimit të ndodhur në një zonë banimi në qytet, në shkurt të 2012-s.

Top Channel