Rama, në Hong Kong: Investoni në Shqipëri, futuni në një treg rajonal

28/10/2015 12:55

Kryeministri Edi Rama, gjatë një prononcimi ku foli për qëllimin dhe rezultatet e vizitës së tij në Hong Kong, tha se Shqipëria paraqet një treg më të gjerë se territori i saj.

“Ne kemi dy vite, që po përpiqemi në mënyrë sistematike të mbjellim farën e një ndryshimi të rëndësishëm në aspektin e investimeve të huaja të drejtpërdrejta. Shenjat e para tanimë janë të qarta. Por ndërkohë puna vazhdon dhe ne shpresojmë shumë, që edhe nga kjo pjesë e botës të ketë një interesim për Shqipërinë dhe jo thjesht për Shqipërinë. Ne vijmë me mesazhin se, kush investon në Shqipëri, investon në një treg shumë më të madh sesa Shqipëria, duke pasur parasysh zhvillimin e rëndësishëm politik dhe të bashkëpunimit në rajonin tonë”, tha kryeministri Edi Rama.

Shqipëria – theksoi kryeministri Rama, – ofron fusha shumë interesante për investimet, siç janë energjia, nafta dhe mineralet, turizmi, bujqësia, padyshim edhe manifaktura, si një sektor me një rëndësi të posaçme në këtë fazë për Shqipërinë. Shqipëria, si një vend tërheqës për investimet – shtoi Rama, – është fokusi i përpjekjeve të qeverisë.

“Nuk është çështja se sa jemi të gatshëm ne, të përzgjedhim këtë apo atë vend. Çështja është sa të gatshëm janë investitorët nga ky apo ai vend, për të synuar Shqipërinë dhe për të investuar në Shqipëri. Kjo është edhe përpjekja jonë”, tha më tej Rama.

Kryeministri u prit sot në rezidencën e Qeverisë nga guvernatori Leung Chun-Ying, i cili i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet midis vendeve dhe u angazhua në nxitjen e investitorëve vendas e të huaj për projekte në Shqipëri, në fushën e turizmit dhe tregtisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA