Partia Demokratike paraqiti pikat e ujdisë së zgjidhjes me mirëkuptim të mosmarrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë CEZ, si dëshmi të asaj që e quan kryemashtrim të kryeministrit Edi Rama për skandalin e 600 milionë eurove.
Deputeti i opozitës, Luçiano Boçi, duke iu referuar deklaratave të kryeministrit Rama se nuk ka asnjë pikë që ndalon hetimin e çështjes, bëri publike katër pika, që sipas tij dëshmojnë të kundërtën.
Së pari, Boçi paraqiti pikën 6.2 të marrëveshjes, ku thuhet se mes datës së nënshkrimit dhe datës së përmbushje nuk do të fillohet asnjë procedim, gjykim, arbitrazh apo procedurë tjetër nga ndonjë palë kundër palës tjetër, degës apo të punësuarve të saj.
Së dyti, deputeti demokrat publikoi pikën 9.5 ku thuhet se në rast se ndonjë nga palët shqiptare vihet në dijeni të ndonjë procedimi ligjor nga një palë shqiptare kundrejt Grupit CEZ, i cili përbën një pretendim përkatës, këto procedime do të përfundohen menjëherë.
Së treti u paraqit pika 10.2. ku thuhet se palët shqiptare angazhohen që asnjë prej degëve të tyre nuk do të ngrejë ndonjë pretendim apo do të paraqesë, apo vazhdojë ndonjë procedim në lidhje me ndonjë pretendim përkatës në ndonjë juridiksion kundër Grupit CEZ.
Dhe pika e katërt, që sipas PD ndalon hetimin dhe procedimin është 11.2, ku thuhet se palët shqiptare angazhohen që as ato dhe as ndonjë prej degëve të tyre nuk do të nxisin apo shkaktojnë (përveç kur kërkohet me ligj), apo të asistojnë ndonjë palë të tretë për të paraqitur ndonjë pretendim apo të fillojnë apo vazhdojnë, në çdo juridiksion, ndonjë procedim në lidhje me ndonjë pretendim përkatës.
Me “palët shqiptare” në marrëveshje nënkuptohen të gjitha institucionet e vendit tonë që varen nga qeveria, që mund të nisin pretendim apo procedim ndaj CEZ.
“Ja pra marrëveshja që ndalon hetimin, që i vë kapak vjedhjes. Është e qartë se Edi Rama e ka bërë me vetëdije të plotë aferën me CEZ-in, sepse ka ndarë me të 600 milionë euro, për këtë arsye, po bën gjithçka për të ndaluar hetimin, sulmon institucionet e pavarura që kanë konfirmuar këtë abuzim në miliona euro, sulmon shtypin që kërkon llogari, sulmon avokatët ndërkombëtarë, sulmon opozitën që kërkon transparencë dhe llogari para ligjit, dhe që ka ofruar edhe instrumentin për ta bërë këtë, që është hetimi ndërkombëtar”, tha Boçi.
Opozita thotë se skandali i 600 milionë eurove të aferës së Edi Ramës me CEZ bëhet më ulëritës sa më shumë e mohon kryeministri.
“Partia Demokratike do tregojë çdo ditë me fakte, manipulimet dhe të pavërtetat e qëllimshme të Edi Ramës, me të cilat mundohet të fshehë vjedhjen e 600 milionë eurove”, deklaroi deputeti demokrat.
Top Channel