Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro dhe homologu i tij kolumbian, Juan Manuel Santos janë pajtuar për rihapjen graduale të kufirit. Venezuela mbylli kufirin para një muaji dhe ndërmori një operacion kundër kontrabandistëve.
Presidentët janë takuar në Ekuador, duke njoftuar se edhe ambasadorët do të rikthehen në kryeqytetet respektive dhe do të nisin punë menjëherë.
Mbi 20 mijë kolumbianë kanë lënë Venezuelën që nga fillim i krizës. Rreth 1500 prej tyre janë larguar nga shteti, pasi dyshohet se janë të lidhur me grupe kriminale.
“Paqja, mirëkuptimi dhe dialogu në mes të popujve dhe vendeve tona kanë triumfuar sot”, deklaroi Maduro.
Ndërkohë, presidenti kolumbian tha se Venezuela duhej që të respektonte të drejtat e kolumbianëve të cilët u detyruan të lënë Venezuelën në kushte të jashtëzakonshme.
“Pajtohem që krimi në afërsi të kufirit është një problem i madh, por mënyra më e mirë për të përballuar këtë situatë është që të punojmë së bashku”, deklaroi Santos.
Top Channel