Manipulimi i “Volkswagen”, lumë kritikash ndaj kompanisë

22/09/2015 09:55

Manipulimi i të dhënave për emëtimet në mjedis nga ana e “Volkswagen”, ka shkaktuar një reagim në kufijtë e skandalit në Gjermani.

Kompania merret si model i punës, teknologjisë, sjelljes ndaj mjedisit dhe trajtimit të punonjësve të saj.

Gjithçka shpërtheu pas vendimit të “Volkswagen” për të tërhequr nga tregu amerikan 500 mijë automjete, brenda të cilave ishte instaluar një pajisje që fshihte emëtimin e vërtetë. Pajisja ndihmonte në kalimin e testeve të ndotjes duke treguar të dhëna që ishin brenda kuadrit ligjor të Shteteve të Bashkuara, pavarësisht se ndotja reale mund të shkonte edhe 40 herë më e lartë se norma e parashikuar.

Kompania gjermane ka pranuar manipulimin dhe njoftoi se po bashkëpunon me autoritetet amerikane.

“Jemi njohur me faktet dhe po bashkëpunojmë me autoritetet. Akuzat janë të justifikuara”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë.

Më shumë sesa dëmi në vlerë kapitale, analistët dhe politikanët gjermanë i druhen dëmtimit të imazhit që ka kompania dhe gjithë industria gjermane.

“Bëhet fjalë për një skandal të madh. Gjithkush e di që ne punojmë shumë për reputacionin e industrisë automobilistike gjermane dhe përballë kemi një rast manipulimi të konsumatorit dhe dëmtimi të mjedisit”, tha zv.kancelari gjerman, Sigmar Gabriel.

Për rastin në fjalë kanë reaguar edhe ligjvënësit në Bundestag. Kreu i grupit parlamentar të CSU-së, Max Straubinger e vlerësoi skandalin e “Volkswagen” si një katastrofë për gjithë industrinë automobilistike gjermane.

Skandali mund të marrë të tjera përmasa. Franca ka bërë thirrje për nisjen e hetimeve ndaj kompanisë gjermane dhe në Bashkimin Europian, për të zbuluar nëse e njëjta praktikë është ndjekur prej saj edhe në “Kontinentin e Vjetër”. Hetimet kanë nisur edhe në Korenë e Jugut dhe në Australi.

“Volkswagen” shtet 40 përqind të prodhimeve të veta në Azi dhe Australi, por më shumë rrezikohet nëse gjendet fajtore në Bashkimin Europian, për shkak se ligjet e unionit karshi mbrojtjes së mjedisit janë shumë më të ashpra dhe ndëshkimi mund të shkojë në miliarda euro.

Ndërkohë, kostoja e mashtrimit ka nisur të ndjehet në xhepat e kompanisë. Aksionet e “Volkswagen” ishin në pikiatë në të gjitha bursat kryesore ditën e hënë dhe po në të njëjtin drejtim nisën edhe ditën e martë.

Top Channel