Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka hapur mbledhjen e së martës të kabinetit qeveritar, duke i lutur ministrat që ta luftojnë korrupsionin. Mustafa tha se ka vlerësime nga organizatat vendase dhe ndërkombëtare që në qeveri ka korrupsion, por ai i ftoi të gjithë të denoncojnë me fakte për çdo rast që ka dyshime.
“Kërkoj edhe njëherë nga të gjithë ju, që të punojmë me përkushtim të plotë, në mënyrë që të eliminojmë çdo burim dhe çdo formë të korrupsionit në ministritë, agjencitë, e drejtoritë e tjera që menaxhojmë ne. Unë mund të them haptas se jam i kënaqur, që gjatë këtyre 8 muajve ne nuk kemi pasur ndonjë rast të shënuar të korrupsionit në organet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, por perceptimi për korrupsionin publik del se është i lartë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.
Megjithatë, kryeministri i është kthyer edhe njëherë për sqarime rastit, kur djali i tij kishte fituar një tender për kryerjen e shërbimeve të servisit ndaj një makine qeveritare.
“Unë dëshiroj të sqaroj para jush, si kryeministër, meqenëse jam përfolur shumë në opinionin publik dhe nga opozita lidhur me një kontratë, që është thënë se unë ua kam dhënë djemve të mi. Unë kam kërkuar që ajo të ndërpritet dhe është ndërprerë. Fjala është për një ofertë prej 2940 eurosh. Nuk dëshiroj ta ul apo ta zvogëloj peshën e shumës së parave, mirëpo fjala është për lëshimet që janë bërë këtu brenda, sa i përket mirëmbajtjes së mjeteve”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.
Në këtë mbledhje, kabineti qeveritar ka miratuar strategjinë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, për periudhën 2015-2020.
Me propozim të ministrit të Shëndetësisë, Qeveria emëroi Jeton Shalën si kryeshef të Agjencisë kosovare për Produkte Medicinale, për një mandat trevjeçar. Qeveria ka zgjedhur edhe anëtarët e bordit të Hekurudhave të Kosovës dhe anëtarët e bordit në Ibër Lepenc. Qeveria ka ndarë 200 mijë euro për këtë vit, për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, lidhur me çështjen e ngritur nga kompania “ACT Axos Capital” për procesin e privatizimit të Post-Telekomit të Kosovës.
Top Channel