Kinë, shkon në 112 numri i viktimave të shpërthimit, 95 të zhdukur

16/08/2015 00:00

Numri i viktimave nga shpërthimet masive në portin kinez të Tianxhinit ka shkuar në 112, ndërkohë që 95 persona, shumica e të cilëve janë zjarrfikës rezultojnë të zhdukur, raportoi media shtetërore gjatë së dielës, duke lënë të kuptohet se ky numër mund të rritet në mënyrë domethënëse me kalimin e orëve.

Më shumë se 720 persona mbeten të plagosur dhe të shtruar nëpër spitale, edhe 4 ditë pas fatkeqësisë së të mërkurës, e cila shkaktoi topa të zjarrtë në qiell, lanë mbeturina të shumta të djegura në një zonë industriale, shkatërroi makina dhe konteinerë anijesh, rrënoi ndërtesa, si dhe theu xhamat e apartamenteve pranë vendit të ngjarjes.

Presidenti Xi jinping udhëroi autoritetet gjatë së shtunës të rrisnin kushtet e sigurisë dhe të mësonin nga leksionet e deritanishme, për të cilat është paguar me gjak.

Kina evakuoi banorët përreth duke i dërguar në një shkollë pranë vendit të shpërthimit gjatë së shtunës, pasi ndryshimi i drejtimit të erës shtoi frikën se grimcat kimike toksike mund të jenë përhapur së tepërmi në tokën përreth.

Ende nuk është bërë e qartë se sa njerëz janë evakuuar, por urdhri erdhi pas rënies së një tjetër zjarri në vendin e shpërthimit, pikërisht në një uzinë të ideuar për të ruajtur lëndë kimike të rrezikshme, siç bën të ditur agjencia Xinhua.

Zyrtarët pranojnë praninë e lëndëve toksike, por thonë se ato nuk përbëjnë rrezik për njerëzit jashtë periferisë së zonës së evakuimit.

Ndërkohë, organizata mjedisore “Greenpeace” bëri të ditur përmes një email-i se testimet e saj në zonën e shpërthimit tregojnë se furnizimi me ujë nuk është kontaminuar rëndë me cianid, por ato nuk e hedhin poshtë praninë e kimikateve të tjera të dëmshme në ujë.

Rreth 6300 persona janë zhvendosur nga vendi i shpërthimit, ndërkohë që valët e tij janë ndierë edhe në disa blloqe apartamentesh në qytetin e 15 milionë banorëve, disa km më tej.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA