Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, zhdoganimet e cigareve ishin 7.3 për qind më të ulëta se një vit më parë. Sipas të dhënave zyrtare, nga 1168 tonë që u zhdoganuan në gjashtëmujorin e parë të 2014-së, këtë vit shifra u ul në 1083 tonë cigare.
Autoritetet thonë se një nga shkaqet kryesore të rënies së zhdoganimeve lidhet me rritjen e akcizës, që u lajmërua vitin e kaluar. Sipas tyre, të njoftuar për rëndimin e taksave, tregtarët kanë importuar rezerva të mëdha vitin e kaluar, për ti shitur më pas me cmim më të lartë.
Paralelisht, vec efekti fiskal, një tjetër shkak pretendohet se është dekurajimi i konsumit të cigareve nga rritja e vazhdueshme e taksave. Të dyja këto janë fenemone të njohura, të cilat ndodh sa herë që ka rritje të taksave. Por sërish ato mund të mos jetë shkaku i vetëm se pse doganat po zhdoganojnë më pak.
Ky (në foto) është grafiku që tregon zhdoganimet e cigareve në gjashtë muajt e parë të vitit sipas të dhënave zyrtare të doganave. Sic duket qartë shifrat nxjerrin në pah dy fakte. Së pari, që rënia e zhdoganimeve tek cigaret nuk është më një fenomen i përkohëshëm i diktuar nga ndryshimet momentale të taksave, por është shndërruar në një tendencë. Dhe së dyti që rënia është shumë e fortë nga viti në vit.
Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Shqipëria ka importuar 50 për qind më pak cigare se sa në vitin 2012. Kjo është një rënie shumë e fortë për tu shpjeguar nga dekurajimi i konsumit.
Përballë kësaj situate pyetja që lind është, a ka rënë me të vërtetë konsumi i cigareve me 50 për qind brenda katër viteve, apo tkurrja e importeve lidhet me të tjera shkaqe?
Top Channel