Presidenti Barack Obama u shpreh të mërkurën se kishte ardhur koha që SHBA të rivendosë marrëdhëniet diplomatike me Kubën, pasi fillimisht njoftoi për rihapjen e ambasadave pas më shumë se 50 vitesh.
“Kur Shtetet e Bashkuara mbyllën ambasadën në vitin 1961, nuk mendoj se ndonjëri e kishte menduar që do të duhet më shumë se gjysmë shekulli që ajo të rihapej”, deklaroi Obama nga Shtëpia e Bardhë.
Ndërkohë, lideri komunist i Kubës, Raul Castro i ka shkruar një letër presidentit amerikan. Në letrën e tij, ai kërkon që të dy vendet të fillojnë një epokë të re të marrëdhënieve, me bazë miqësinë e sinqertë.
“Ne duam të zhvillojmë një miqësi mes të dy kombeve tona, që bazohet në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe vullnetit të popullit”, shkruhet në letrën e Castros, që është lexuar edhe në televizion shtetëror.
Gjithashtu, Castro shpreson që të zgjidhen të gjitha problemet me Shtetet e Bashkuara përmes mjeteve paqësore, ndërsa ka shtuar se të dyja shtetet duhet që të respektojnë integritetin territorial të tjetrit dhe nuk duhet të ndërhyjnë në politikat e brendshme.
Në një deklaratë tjetër, Ministria e Jashtme kubane ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që të heqin të gjitha pengesat ekonomike, ndryshe nuk do të ketë marrëdhënie normale.
“Nuk do të ketë marrëdhënie normale ndërmjet Kubës dhe SHBA-ve, derisa vazhdojmë të kemi pengesa ekonomike, komerciale dhe financiare. Bllokada është pengesa kryesore për zhvillimin e ekonomisë sonë, është një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe ndikon në interesat e të gjitha vendeve, duke përfshirë edhe ato të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Kubës.
Presidenti Obama i bëri thirrje Kongresit që të heqë embargon që pengon kubanët të udhëtojnë ose të bëjnë biznes në Amerikë. “Amerikanët dhe kubanët janë gati të lëvizin përpara. Besoj se është koha që edhe Kongresi të bëjë të njëjtën gjë”, është shprehur ai.
Megjithatë, Kongresi që kontrollohet nga republikanët, nuk ka dhënë sinjale të qarta nëse janë pro vendimit për heqjen e embargos. Disa prej kandidatëve për President të SHBA-ve nga kjo parti, kanë kundërshtuar heqjen e embargos me Kubën.
Top Channel