Zilja e zgjimit që ndalet vetëm me “selfie”

08/05/2015 00:00

Janë të shumtë ata që e kanë problem zgjimin në mëngjes. Për të qenë të sigurt se do hapin sytë në orën e duhur për të shkuar në punë ose shkollë, ata aktivizojnë zilen e zgjimit që të bjerë disa herë. Mirëpo, një aplikacion i ri do t’ju bëjë të zgjoheni me zilen e parë, pasi nuk do pushojë derisa të bëni një “selfie”.

Aplikacioni i quajtur “Snap Me Up” do t’ju kërkojë që, për të ndalur zilen, të bëni një “selfie”, ndërsa mund të mos ndalojë, nëse vë re që sytë tuaj ende janë të mbyllur. Po ashtu, për të bërë “selfie” do t’ju duhet të ndizni dritën, e më pas, nëse dëshironi, foton mund ta shpërndani edhe në rrjete sociale.

“Snap Me Up” do t’u pëlqejë edhe personave që e kanë të zakonshme një “selfie” në mëngjes… edhe më tepër atyre që e kanë të vështirë të zgjohen me zilen e parë që bie.

Aktualisht, aplikacionin mund ta shkarkojnë vetëm personat që kanë Android.

 

Top Channel