Mijëra kilometra pa shkuar në tualet

02/05/2015 00:00

Udhëtarët që kishin vendosur të udhëtojnë nga Murcia e Spanjës për në Londër me kompaninë “Ryanair” janë tronditur kur kanë dëgjuar njoftimin që gjatë tre orëve udhëtim nuk do të kenë mundësi të shkojnë në tualet.

Arsyeja e vetme për këtë ishte se në avion nuk kishte letër tualeti. Po ashtu, udhëtarët u njoftuan se nuk do të mund të shërbeheshin as me qumësht, pasi edhe ky produkt mungonte.

“Sapo u shpërnda njoftimi që s’ka letër tualeti dhe qumësht, udhëtarët filluan të shihnin njëri-tjetrin në sy. Mirë qumështi, por si të mos shkosh në tualet për tre orë. Ishte e tmerrshme”- ka thënë Shaun O’dea, që u kthye në Londër me të njëjtën avion.

Përfaqësuesi i kompanisë, Michael O’Leary ka kërkuar falje udhëtarëve, por ka thënë se faji ishte i tjetër kujt. “Ne kemi porositur gjërat, përfshirë letër tualeti dhe qumësht, por dërgesa është vonuar dhe ne nuk mund të prisnim më gjatë. I kemi sqaruar udhëtarët se nëse presim do vonohemi gjatë kthimit. Ju kërkojmë falje që janë detyruar të kalojnë në këtë situatë”- u shpreh ai.

Top Channel