Shqiptarët, sërish “protagonistë të këqij”

01/05/2015 00:00

Shqiptarët kthehen sërish protagonistë të një filmi ‘thriller’, ku episodet e tij vërtiten rreth kokainës, policisë së korruptuar, jetës së natës dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

“Hyena” është realizimi më i fundit kinematografik i “Tribeca Film” me regji të Gerald Johnson, i cili i ka vendosur skenat në Londër.

Realizimi i tij bëhet edhe më i prekshëm, pasi disa nga aktorët janë shqiptarë, përkatësisht Orli Shuka, Xhevat Kelmendi, Shaban Arifi, Alfred Doda dhe Mem Ferda.

Bëhet fjalë për një rreth vicioz mafiozësh turq dhe shqiptarë, të cilët kanë si ndërmjetës një njësi policie antidroge të drejtuar nga detektivi Michael Logan. Pra, deri diku filmi shfaq një lidhje të krimit me pushtetin, sepse detektivi është personi që mbyll pazaret e pista mes bandave, ku sigurisht ka edhe pjesën e tij të konsiderueshme të fitimit.

Por aksioni në film merr më tepër jetë në momentin kur del në skenë një tjetër bandë shqiptarësh me në krye vëllezërit Kabashi. Aty palëve u duhet të luftojnë për terren në pushtetin e mafies.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që shqiptarët përfshihen në skenarë të tillë hollywood-ianë. Mediat ndërkombëtare e kanë komentuar gjatë këtë film, duke dhënë edhe vlerësimin maksimal, të paktën për realizimin e tij.

Ndër të tjera, “Wall Street Journal” shkruan në një artikull se tashmë ka ikur koha e mafies ruse dhe ish-jugosllave, pasi filmi “Hyena” u ka hapur rrugë bandave shqiptare. Megjithatë, ajo çfarë vijon për “Hyena”-n është se, përpos publikimit në kinematë britanike, historia që flet për hakmarrje, tradhti dhe hierarki në mafie, do të shfaqet në Festivalin e Kanës.

Top Channel