E quajnë “fshati i të mallkuarve”. Prej 4 vitesh, banorët e Kalachit në Kazakistan përballen me një sëmundje të mistershme, e cila i zhyt për disa ditë njerëzit në një gjumë, që duket gati si gjendje kome.

Ka edhe simptoma të tjera të çuditshme: fëmijët shohin përbindësha, meshkuj të sjellshëm e të kulturuar me t’u zgjuar nga gjumi i frikshëm, shajnë e mallkojnë me fjalët më të rënda.

Banorët janë të tmerruar dhe një pjesë e mirë kanë zgjedhur të largohen. Ata që kanë mbetur, thonë se s’kanë ku të shkojnë, por jetesa në Kalachi i është kthyer në makth.

Sëmundja, që ka pllakosur prej vitesh, i zhyt pa asnjë paralajmërim njerëzit në një gjumë të thellë, i cili shkon deri në 6 ditë. 160 vetë, apo gati një e katërta e popullsisë së fshatit, e kanë përjetuar këtë gjendje të tmerrshme.

Kur zgjohen, personat e prekur kanë dhimbje të forta koke, e disa përjetojnë edhe humbje të kujtesës. Një pjesë flasin përçart, siç ishte rasti i një burri, që me të hapur sytë u ngrit në këmbë e përshëndeti me dorën lart, duke thirrur: Rroftë Hitlero!

E ëma e një djali të vogël të quajtur Almaz, thotë se i biri ka rënë dy herë në gjumin e thellë disaditor. Përpara, ai ishte një fëmijë shumë i gjallë e i lëvizshëm – rrëfen ajo, – por tani kërkon vetëm të pushojë e të shtrihet.

Shumë nga rezidentët e Kalachit besojnë se, kjo situatë i detyrohet fenomeneve paranormale, megjithatë mjaft të tjerë ndajnë bindjen se fshatarët po helmohen, nga persona që duan t’i largojnë njerëzit prej andej, në mënyrë që të hapin një minierë ari në këtë zonë.

Zyrtarisht, shpjegimi i sëmundjes së mistershme është rrjedhja e mundshme e gazit radioaktiv Radon, nga disa miniera uraniumi të ndodhura 4 milje larg, por edhe ky variant shihet me mjaft skepticizëm.

Top Channel