Avokati i Popullit akuzon Jahjagën: Së bashku me ndërkombëtarët pengojnë hetimet

09/03/2015 00:00

Avokati i Popullit akuzon Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga; përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar; shefin e Misionit të EULEX, Gabriel Meucci; sepse – sipas tij – po pengojnë hetimet që Institucioni i Avokatit të Popullit është duke zhvilluar, lidhur me dyshimet për shkelje ligjore dhe kushtetuese të kryera nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, informon publikun se u ka dhënë katër zyrtarëve përgjegjës të gjitha mundësitë, bazuar në ligj, për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij në komunikimin e rregullt ndërinstitucional.

Por, Presidentja Jahjaga dhe Zhbogar i kanë shpërfillur plotësisht letrat e dërguara nga Avokati i Popullit, ose kanë refuzuar në mënyrë kategorike t’u përgjigjen pyetjeve të tij.

Ky dështim i plotë i bashkëpunimit, sipas Ligjit për Avokatin e Popullit, “konsiderohet pengim i punës së Avokatit të Popullit”, bën të ditur ky institucion, ndërsa në rastin e kryetarit Hasani dhe Presidentes Jahjaga në veçanti, refuzimi kategorik për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit përbën shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila përcakton qartë se “Çdo organ, institucion ose autoritet tjetër, që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, është i detyruar t’u përgjigjet kërkesave të Avokatit të Popullit dhe t’i paraqesë atij/asaj të gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara në pajtim me ligjin”.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka deklaruar se Kushtetuesja ka bërë falsifikim, kur e ka përfshirë emrin e gjyqtarit Robert Carolan në aktvendimin për mospranim të kërkesës për kushtetutshmërinë e vazhdimit të mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë.

Carolan ia ka dërguar Avokatit të Popullit një shkresë, në të cilën ka pohuar se nuk ka marrë pjesë në vendimmarrje sa i përket këtij rasti.

Mbështetur në këtë, Kurteshi ka nxjerrë konstatimin se, pa pjesëmarrjen e gjyqtarin Carolan, Gjykata nuk e ka pasur kuorumin e duhur prej 7 gjyqtarësh, për të marrë vendim në këtë rast, prandaj e ka quajtur të pavlefshëm atë.

Top Channel