Forcat qeveritare ukrainase dhe separatistët prorusë kanë këmbyer dhjetëra të burgosur në lindje të Ukrainës, në atë që konsiderohet si një hap i duhur drejt implementimit të një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht, konfirmon një ndihmës i Këshillit ukrainas të Sigurisë këtë të diel.
Reporterë të agjencisë së lajmeve “Reuters”, që ndodhen në fshatin Zholobik, 20 km në perëndim të bastionit të rebelëve Luhansk, kanë parë më shumë se 130 ushtarakë ukrainas të lirohen gjatë mbrëmjes së të shtunës, në këmbim të 52 luftëtarëve rebelë.
Këmbimi është një nga lëvizjet e para për të implementuar marrëveshjen e paqes së 12 shkurtit, të nënshkruar në kryeqytetin bjellorus Minsk, pas samitit të udhëheqësve francezë, gjermanë, rusë dhe ukrainas.
Markian Lubkivskyi, ndihmës i Këshillit të Sigurisë, publikoi përmes një postimi në profilin e tij në Facebook gjatë së dielës një listë prej 139 ushtarakësh ukrainas të liruar, duke thënë se qeveria do të bëjë gjithçka të mundshme për të liruar edhe pengjet e mbetur në duart e rebelëve.
Luftimet janë lehtësuar në shumë zona që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit një javë më parë, por paqja është tronditur keqazi nga pushtimi gjatë së mërkurës i qytetit strategjik Debaltseve nga rebelët, duke detyruar tërheqjen e mijëra ushtarëve ukrainas.
Ushtria ukrainase tha se rebelët kishin nisur 12 sulme ndaj pozicioneve të trupave qeveritare përgjatë natës, duke përdorur edhe artilerinë e rëndë dhe murtajat.
Zona më intensive e luftimeve tashmë është qyteti Pesky, pranë Donjeckut, ndërkohë që grupe separatistësh janë përpjekur të “mësyjnë” pozicionet ukrainase në Shyrokyne, në lindje të qytetit strategjik portual të Mariupolit, me dalje në detin Azov.
Kievi akuzon separatistët se kanë krijuar formacione luftarake të armatosura rëndë në juglindje të Ukrainës, ndërsa ka paralajmëruar për një sulm të mundshëm të rebelëve në Mariupol.
Megjithatë, udhëheqësit e rebelëve kanë deklaruar gjatë së shtunës se ata kanë nënshkruar një dokument që detajon planin për tërheqjen e armatimeve të rënda, ashtu siç kërkohet prej marrëveshjes së Minskut, një shenjë që mund të tregojë se ata janë duke u përgatitur të ndalin avancimet, duke qenë se kanë arritur shumicën e objektivave të tyre, duke pushtuar edhe Debaltseve së fundi.
Shërbimi mediatik i rebelëve, DAN, ka bërë të ditur se trupat ukrainase kanë bombarduar pjesë të rajonit të Donjeckut, duke raportuar se zhurma e artilerisë së rëndë ishte dëgjuar rreth mëngjesit të së dielës.
Top Channel