Në kërthizë të Shqipërisë…

12/01/2015 00:00

Rruga dredhon në zemër të Dumresë, një ndër perlat karstike që me bukuritë e saj ka kaluar shumë tej kufijve shqiptarë. E shtruar dhe e rregullt deri 13 kilometra përtej Belshit, më pas gjithçka zhvishet në mënyrë të habitshme.

“Janë zona që duan vetëm një fije mbështetje, sepse pjesën tjetër e kanë arritur gjithmonë vetë. Fshati Dragot i komunës Kajan, në Dumre, kërkon një rrugë, që nisi por nuk dihet pse ngeli në mes; ujin, që duket sikur e kërkon në shkretëtirë; arsimin e dërrmuar dhe mbështetje për bujqësinë, që në mungesë të infrastrukturës ka mbetur në vendnumëro”.

Ky aks nisi me vrull të madh rreth 3 vite më parë si pjesë e boshtit të jugut. U bënë punimet e para, u prishën avllitë e fshatit, por më pas asgjë. Banorët, në asnjë moment nuk kundërshtuan prishjen e mureve të tyre rrethuese, përkundrazi gjatë gjithë kohës përkrahën këtë investim, me ëndrrën se më në fund do të kishin një rrugë normale. Por kjo ëndërr, ashtu siç veniten premtimet e fushatave, u zhduk shumë shpejt, duke lënë pas vetëm pluhur e gropa.

“Kjo rrugë ka qëkur e ka hapur gjermani, e deri sot kanë ikur tre breza. I treti është brezi im, e sërish po ikim pa rrugën e shtruar. Se kur do ta shohim në të zezë këtë rrugë ne, s’e di por nuk besoj. Edhe fëmijët e mi nuk e besojnë, jo më ne”, thotë një banor.

Rruga nuk shërben thjesht për Dragotin, por edhe për të paktën 8 fshatra të tjerë përreth. Pa llogaritur që boshti i jugut në tërësi do të çlironte nga izolimi Beratin, duke e lidhur atë me Tiranën përmes Elbasanit. Dragoti ndodhet në kërthizë të këtij aksi, e megjithatë mbetet si mos më keq i izoluar.

“Shumë rrugë e keqe, nuk kalohet fare. Edhe pasagjerët nuk hipin prej rrugës së keqe. Gjynaf nga Zoti, duhet të vërë dorë shteti, se taksat i merr të gjitha”, thotë një drejtues mjeti.

Por nuk është vetëm rruga shqetësimi i banorëve. Mjafton të flasësh, e ata do të rendisin pafund të tilla. Ky fshat, ashtu si e gjithë zona, mbahet më së shumti me prodhimin e duhanit. Prodhim që tashmë ka mbetur stok shtëpive, pa asnjë mundësi shitjeje, e kjo sipas banorëve vjen si shkak i monopolit, që i jep mundësi firmës grumbulluese të lëvizë çmimet sipas dëshirës.

“Të gjithë fermerët e fshatit tonë, mund të jenë mbi 300 familje, e kanë të gjithë duhanin stok, nuk ka treg me 100 lekë, ndaj s’kemi çfarë bëjmë. Më mirë ta djegësh sesa ta mbash. Jemi jashtëzakonisht keq, nuk kemi asnjë ndihmë nga shteti”, thotë një banor.

Një vit prodhim dergjet bashkë me shpresat e banorëve…

“Duhanin na e kanë marrë sivjet me 150 lekë për kilogram, në një kohë që vjet e kemi shitur me 350 lekë/kg. Nuk na lë asgjë, të punosh gjithë vitin për 20 mijë lekë që mezi t’i lë duhani”, thotë një tjetër fermer.

“Unë kam harxhuar shumë, me plehun që është 6 mijë lekë kuintali; me zetor që është 1500 lekë ngarja; më pas lesim e diskim, e në fund nuk kemi fituar asgjë. Thjesht sa nxjerrim shpenzimet, asnjë fitim. Kostoja është rritur shumë”, thotë një prej banorëve që merret me kultivimin e duhanit.

Sigurisht, në Dragot nuk është më çudi edhe fakti që s’ka as ujë të pijshëm, ose për të qenë më të saktë ai vjen vetëm 1 orë në ditë, kohë kjo, kur banorët duhet të vrapojnë të mbushin ç’të munden, por edhe atë se arrijnë.

“Kemi vetëm një orë ujë në mëngjes. Jo vetëm në dimër, por edhe në verë”, thotë banori i zonës.

Jo vetëm Dragoti fshat apo fermë, siç e ndajnë banorët, por edhe Lisaj e Gjinuku përreth duhen të thahen për ujë. E të mendosh se kjo zonë, Dumreja, është e famshme për liqenet e saj. Ujë ka, por ujë s’ka…

“Ujë ka lumi sa të duash, por këtu nuk na vjen uji i pijshëm. E kanë kthyer në çështje politike, po u bë ky deputet vjen uji, po nuk u bë nuk vjen”, shprehet një banor.

Rrugicave, ujrat e zeza kanë çarë rrethimin, telat e energjisë elektrike mbahen larg njëri-tjetrit me shpikje origjinale shqiptare, ndërsa banorët nuk dinë më as kujt duhet t’i drejtohen.

“Çdo gjë është katrahurë, është shumë keq. Ujrat e zeza dalin në rrugë”…

Edhe më e dhimbshme është të shikosh nxënësit e shkollës, mbi 200 të tillë që duhet të dridhen në këto ditë të ftohta janari, sepse sobat qëndrojnë në klasa vetëm për zbukurim, e asgjë tjetër. Për të mos llogaritur luftën që duhet të bëjnë, nëse kanë një nevojë personale.

“Kemi një sobë të vogël, të cilën na kanë thënë se do ta ndezin, po akoma se kanë bërë. Gjatë orëve të mësimit është shumë ftohtë, i marrim vetë masat sepse soba te klasa nuk ndizet. Bën shumë ftohtë, ndaj rrimë me xhupa veshur, me shaje. Banjot janë të prishura, për nevoja personale shkojmë prapa tyre. I kemi disa banjo, por janë shumë të pista dhe me dyer të shqyera. Nga halli edhe vemi ndonjëherë”, thonë njëzëri disa nxënës.

Banorët e Dragotit duken shpesh të dorëzuar, apo më mirë kanë humbur besimin që diçka mund të ndryshojë përmes politikës, që – siç thonë – i ka marrë zvarrë për mëse 24 vite.

“Asnjë lloj kujdesi nuk ka pasur për zonën tonë. Mirë në vitet para ’90-s se keq ka qenë gjithë Shqipëria, por nga ’90-a e këtej nuk ka pasur asnjë lloj investimi apo përkujdesjeje ndaj nesh”, tregon një tjetër banor.

Dragoti është aty, nuk kërkon shkencë, as fjalë, aq më pak premtime elektorale. Kërkon një rrugë, ujë, pak treg për prodhimet dhe arsim, asgjë tjetër. Nëse dikush do t’ua zgjidhë do të marrë gjithë mbështetjen e tyre, në të kundërt zgjedhje lokale – siç thonë – në këtë fshat por edhe më tej nuk do të ketë…

Top Channel