Pas Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Tivat të Malit të Zi, Kryeministri Rama është nisur drejt Vlorës, ku do të takohet me banorët e fshatit Zvërnec.
Kryeministri së bashku me banorët e zonës do të zhvillojnë një bashkëbisedim rreth problematikave dhe ankesave për projektin e Zvërnecit.
Rama mbërriti në Zvërnec me helikopter dhe pas këtij takimi, kryesocialisti do të shkojë në Vlorë në Sheshin e Flamurit për 35-vjetorin e Partisë Socialiste.
Përditësimet LIVE
Gjatë bashkëbisedimit me banorët e Zvërnecit, Kryeministri Edi Rama nuk i kurseu as batutat. Në fjalën e tij, Rama iu drejtua një prej banorëve, duke i thënë që të fikte radion që kishte me vete.
“Po mbylle atë radio se më shkatërrove. Çfarë bën? Dëgjon lajmet atje? Të lajmërojnë për lajmet atje? Po çfarë të them…”, iu drejtua Rama qytetarit.
“Gjëja ka marrë përmasa botërore dhe është shumë e thjeshtë për ta kuptuar se përse Irani është i interesuar për këtë narrativë dhe përse kjo narrativë fillon njëherë duke shkatërruar një nga pikat më të forta të reputacionit të shqiptarëve nëpër botë, të cilën bota tani ka filluar ta kuptojë tamam”, tha Rama.
“Po kur thonë 5 kushte: ‘Jep dorëheqjen’. Po mirë po jap dorëheqjen, katër të tjerat si do i bëj? Është e sigurt që në të gjithë procesin, ne kemi qenë shumë strikt. Është thënë se investimi është 27 mln euro. I janë referuar një leje që është kthyer mbrapsht”, tha Rama.
“Do më bësh mua të shaj gjykatën? Se gati jam. Po do më prishësh punë me Europën. Gati jam të të bashkohem. Hajde bëhemi bashkë, i gjejmë shtëpinë gjykatësit dhe e kapim të dy bashkë. Demokraci është kjo? Fuqia ime si kryeministër mbaron aty ku fillon fuqia e gjykatës. Mos më bëj mua të merremi këtu me gjykatën, se vijnë ata dhe na kapin të dyve pastaj”, tha Rama.
“Jo 5 mijë veta, por 500 mijë të dalin në shesh, nuk mjaftojnë, janë 800 e ca kusur mijë që kanë bërë marrëveshje me mua dhe PS. Ky investim nuk doli sot papritur. Unë e kam thënë në fushatë. Unë isha në Tivat, erdha direkt nga Tivati këtu… Tivati ishte vendi më i pazhvilluar në Mal të Zi, nuk shkonin turistë se ishte bazë ushtarake”, tha kryeministri Rama.
“Prona tani më është shitur dhe ka pronarë të tjerë, që janë vetë-investitorë. Kur ata janë paraqitur te ne, kanë sjellë të gjitha letrat. Nga ana e letrave është gjetur procedura”, tha Rama.
“E thashë edhe atë ditë: ‘Kush do të flasë?’, thatë: ‘Jo ne nuk negociojmë’. Jam unë i pari që nuk negocioj, se s’kam çfarë të negocioj me askënd. Por për të folur nuk diskutohet. Këta që duhan të më heqin do të duhet të presin shumë më tepër”, u shpreh Rama.
Gjatë diskutimit me banorët e Zvërnecit, kryeministri Edi Rama është përplasur me një qytetar, rreth pronësisë së tokës së tij.
Rama iu përgjigj një prej qytetarëve, duke thënë se ai nuk është takuar kurrë me pronarët e tokës në Zvërnec, duke shtuar se ajo është një tokë private, ku sipas tij, qeveria nuk mund të ndërhyjë.
Top Channel