Akreditimi i universiteteve, nënshkruhet marrëveshja me agjencinë britanike, Rama: Emergjencë kombëtare

18/12/2014 00:00

Universitetet publike dhe private në vend do t’i nënshtrohen në muajin janar procesit të akreditimit, që do të kryhet nga agjencia britanike “Quality Assurance Agency for Higher Education”.

Në nënshkrimin e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe agjencisë britanike, kryeministri Rama tha se kjo është një tjetër provë e dhimbshme për arsimin e lartë, të cilin e cilësoi si emergjencë kombëtare, pas asaj të vlerësimit të kritereve të ligjshmërisë së universiteteve.

“Reforma në arsim është proces i dhimbshëm për shumëkënd, por jetik për të ardhmen e shoqërisë sonë, të shumëkujt që me sakrificat e prindërve ndërmerr rrugën e arsimit të lartë. Ka shumë histori lidhur me gjendjen, në të cilën ne e gjetëm arsimin e lartë, ka shumë fakte dhe shifra rrënqethëse, që janë pasqyrë më shumë se bindesë për këtë reformë rrënjësore, por unë dua të veçoj faktin se nga 11 mijë studentë, që duhej të zhvendoseshin në institucionet e arsimit të lartë, pas mbylljes për shkak të një gjendjeje paligjshmërie të plotë të 18 institucioneve, vetëm 2800 u paraqitën me kërkesën për zhvendosje, sepse të gjithë të tjerët kishin shënuar emrin në këto institucione dhe prisnin vetëm ditën kur do të shkonin të merrnin dipomën, pa shkuar asnjë ditë në universitet”, tha kryeministri Edi Rama.

“Nuk ka pasur më parë një vullnet dhe vendosmëri për operacione të thella dhe të plota, kjo pasi natyrshëm të vjen një pyetje ‘si u lanë në funksion 18 institucionet private të arsimit të lartë, cilësisht dhe pastërsisht piramida dhe që nuk ofronin asgjë, jo vetëm në lidhje me cilësinë që ne kërkojmë të ketë arsimi i lartë, por as me kriteret më minimale në respekt të ligjit. Ne jemi të vendosur në rrugën e reformave, ndaj nuk do vijojmë rrugën e shitjes së diplomave të pavlera”, tha ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Shqiptarët janë shumë të etur për dije, ndryshe nga ç’ndodh në shumë vende të Evropës. E në këtë këndvështrim, ai tha se ka universitete shumë të mira, por ka pasur edhe institucione që vepronin si “dyqane” diplomash, të cilët e bënë reformën në arsim emergjente.

“Quality Assurance Agency for Higher Education” është themeluar në vitin 1997 dhe ofron prej vitesh shërbimin e saj në fushën e monitorimit dhe akreditimit të cilësisë së institucioneve të arsimit të lartë.

Top Channel