Tiranë, ekspozitë e punimeve të artizanatit nga 200 artizanë

15/12/2014 00:00

Punimet e rreth 200 artizanëve nga zona të ndryshme të Shqipërisë janë ekspozuar në Panairin e hapur pranë Piramidës në kryeqytet, me qëllim promovimin e vlerave estetike të punës me dorë të artizanëve tanë.

Zv.ministrja e Mirëqenies Sociale tha se punët artizanale janë dhe një mënyrë punësimi, pasi në qendrat profesionale, krahas artizanëve të afirmuar, janë trajnuar djem dhe vajza të reja, të cilët më pas janë punësuar në bizneset e artizanëve.

“Është një mënyrë për të punësuar më shumë gra dhe vajza, sidomos në zonat më të paavantazhuara dhe ku aksesi në ekonomi e në treg është edhe më i vështirë. Është një mundësi e mirë për t’i dhënë jetë këtyre produkteve të mrekullueshme, për të sjellë pranë nesh shijen e bukur, estetike të popullit shqiptar, njëkohësisht edhe për t’u ofruar qasje më pranë turizmit të gjitha këtyre produkteve”, tha Gentiana Sula, zv.ministre e Mirëqenies Sociale.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve u shpreh se bizneset e artizanëve kanë mbështetjen e qeverisë, ndaj u bëjnë apel të gjithëve që të regjistrohen, me qëllim që të përfitojnë nga fondet që janë në dispozicion për nxitjen e tyre.

“Këtë vit agjencia ka mbështetur 15 biznese të tilla, me një shumë prej 61 milionë lekësh, për të nxitur dhe vlerësuar punën e këtyre bizneseve. Kontributi që kemi dhënë është i tillë, që do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm, ndaj dhe ftojmë të gjithë artizanët, burra e gra që punojnë në këtë fushë, që të vijnë pranë agjencisë dhe të aplikojnë për këto fonde”, deklaroi Manjola Gjoni, drejtoreshë e AZHI.

Për dy ditë me radhë, punimet e artizanëve nga Shkodra, Berati, Gjirokastra, Korça e qytete të tjera, do të ekspozohen në këto mjedise.

Top Channel