Salman Rushdia ka sulmuar “retorikën fetare të mbushur me urrejtje”, e cila “bind qindra e mijëra muslimanë britanikë t’u bashkohen ekzekutuesve barbarë të kokave, të ISIS-it”, duke e përshkruar atë si “armën e re më të rrezikshme në botën e sotme”.
Duke folur në dhënien e çmimit PEN/Printer, Rushdie tha se nuk e pëlqen aspak fjalën “islamofobi”. Por është e drejtë – argumenton autori – të “ndjesh fobi” ndaj shtypjes së popullit afgan nga talebanët, ndaj shtypjes së iranianëve nga ajatollahët, apo ndaj vdekjes së njerëzve ditët e fundit në Irak.
“Ajo që po vritet sot në Irak nuk është thjesht qenia njerëzore, por një kulturë e tërë. Të ndjesh neveri ndaj një force të tillë nuk është fanatizëm. Është e vetmja përgjigje e mundshme ndaj shfaqjeve horror të publikuara prej tyre. Nëse unë nuk i pëlqej idetë tuaja – vazhdoi më tej Rushdie, – atëherë mund të jetë e pranueshme për mua ta them këtë gjë, ashtu siç është e pranueshme që ju të thoni se nuk i pëlqeni idetë e mia. Idetë nuk mund të rrethohen (ngurtësohen) vetëm për shkak se pretendojnë të kenë njërin zot imagjinar apo tjetrin në krahun e tyre”.
Rushdie, i cili ka qenë subjekt i një dënimi me vdekje nga Ajatollah Khomeini në vitin 1989, për shkak të novelës së tij “Vargjet satanike”, u akuzua nga akademiku Terry Eagleton në vitin 2007 se kishte kaluar nga “një shkrimtar satirik i papenduar i Perëndimit” te një “brohoritës i aventurave kriminale të Perëndimit në Irak e Afganistan”, një përkufizim që u kritikua nga Rushdie dhe më pas Eagleton kërkoi falje.
Çmimi PEN/Pinter i jepet një shkrimtari, i cili gjykohet se përfaqëson shembullin tipik të mbrojtësit të fjalës së lirë, nga Harold Pinter. Rushdie njoftoi të enjten se do ta ndante çmimin e tij me aktivistin e burgosur sirian, Mazen Darwish.
Pasi dënoi burgimin e tij si “arbitrar dhe të padrejtë”, Rushdie tha për të ftuarit në ceremoninë e çmimit, se si qytetar ai nuk mund “t’i shmanget diskutimit mbi horrorin e botës në këtë periudhë të re të kaosit fetar, si dhe gjuhës që e zgjon dhe justifikon atë, deri në atë pikë sa djemtë e rinj, përfshi ata britanikë, të nxiten drejt akteve të brutalitetit ekstrem, apo të besojnë në vetvete se thjesht po luftojnë në një luftë”.
Gjuha e fesë, tha Rushdie, “është keqinterpretuar tmerrësisht keq në kohët tona”, qoftë nga ekstremistët e krishterë në Amerikë, ashtu dhe nga ekstremistët hindu në Indi, por “pesha më e madhe e problemit qëndron në botën islame, dhe i ka rrënjët në gjuhën ideologjike të gjakut dhe të luftës, që buron nga lëvizja salafiste brenda Islamit, e cila mbështetet globalisht nga Arabia Saudite”.
Në një botë, ku të gjithë ne “duhet të frikësohemi nga fetë në përgjithësi, dhe ndaj një feje në veçanti – asaj feje që është ripërcaktuar si kapacitet i udhëheqësve fetarë për të kryer dhunë tokësore në emër të zotit të tyre të mbinatyrshëm e qiellor – ekstremistët fetarë janë armiq të modernitetit”, tha Rushdie.
“Moderniteti, me gjuhën e tij të lirisë për gratë si dhe për burrat, me këmbënguljen e legjitimitetit qeveritar në vend të tiranive, dhe me prirjen e tij të fortë drejt sekularizmit dhe larg besimeve fetare, po shënjestrohet nga gjuha e deformuar mesjetare e fanatizmit, të mbështetur nga armët moderne”.
Kjo – sipas Rushdie – është një gjuhë që po pagëzohet si “xhihad gjakftohtë” dhe po apelon fuqishëm ndaj të rinjve “duke bindur qindra, ndoshta mijëra muslimanë britanikë, t’u bashkohen barbarëve ekzekutues të ISIS-it”.
Top Channel