Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanoski ka bërë të ditur se ndaj deputetëve shqiptarë që u përfshinë në incidentin e një dite më parë është dhënë masa vërejtje publike.

Vendimi për këtë masë u morë gjatë një takimi koordinues mes Veljanoskit dhe shefave të grupeve parlamentare, ku morën pjesë vetëm përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.

“Kolegë deputet, dua të apeloj dhe të them se vetëm përmes respektimit të kulturës së dialogut dhe fuqisë së argumenteve mundemi në mënyrën më të mirë dhe efikase t’i artikulojmë interesat dhe nevojat e zgjedhësve tanë të cilët na kanë besuar mandatin”, deklaroi Veljanoski.

Konfrontimi në Kuvend që ndodhi të martën është incidenti i tretë në këtë institucion nga viti 2007. Gazetari Erdem Ahmet që prej vitesh ndjek punën e Kuvendit, thotë që përleshjet fizike mes deputetëve po përsëriten për shkak se institucionet e sistemit nuk kanë ofruar zgjidhjet e duhura për incidentet e kaluara.

“Incidenti nuk ishte i rastësishëm sepse sipas mendimit tim incidentet e kaluara nuk janë zbardhur tërësisht. Incidenti i të martës erdhi si pasojë e ashpërsimit të retorikës mes BDI-së dhe PDSH-së dhe nëse çështjet nuk zgjidhen përmes dialogut, atëherë ju mbetet alternativa e grushteve”, tha Ahmet.

Arsyeja tjetër për përsëritjen e incidenteve në kuvend, sipas gazetarit Shpëtim Nuredini mund të jetë edhe mënyra se si kodi zgjedhor e rregullon zgjedhjen e deputetëve përmes listave të mbyllura dhe listat e kandidatëve që ofrohen nga partitë politike.

Lidhur me incidentin e fundit ai thotë se sjellja e deputetëve shqiptarë dëmton rëndë imazhin e dy subjekteve BDI dhe PDSH.

“Është për të ardhur keq që incidenti i fundit ishte mes deputetëve shqiptarë, është për të ardhur keq që ndodhi si akt, por gjithashtu ky rast do të keqpërdoret shumë nga kundërshtarët politik, kur dihet te ne se lufta ndëretnike është shumë aktuale dhe gjithmonë është keqpërdorur. Kjo do të shitet për të mbuluar shumë të meta që i ka shteti dhe shumë të meta që i kanë partitë maqedonase”, u shpreh gazetari Nuredini.

Pas incidentit të një dite më parë, Parlamenti i Maqedonisë ka vazhduar punën pa asnjë parti politike të bllokut opozitar. Përveç partisë maqedonase LSDM, që bojkoton këtë përbërje parlamentare, pas incidentit të fundit edhe deputetët e PDSH-së kanë vendosur të mos marrin pjesë në seancat e radhës të Kuvendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA