Martesë me mysliman, protestë e hebrenjve ekstremistë

18/08/2014 00:00

Tensionet në Gaza kanë rindezur konfliktet mes hebrenjve dhe arabëve brenda kufijve të Izraelit dhe këtë e dëshmoi edhe rasti i martesës së një hebreje me një mysliman në jug të Tel Avivit.

Rreth 200 aktivistë hebrenj të ekstremit të djathtë u grumbulluan pranë vendit të organizimit të ceremonisë martesore mes nuses Maral Malkam, 23 vjeç dhe dhëndërrit Mahmoud Mansour, 26 vjeç.

Protestuesit kishin kërcënuar më parë 23-vjeçaren hebreje të mos martohej me një djalë mysliman dhe për këtë çifti kishte kërkuar nga gjykata në Tel Aviv që të ndalonte protestat. Por vendimi i gjykatës ishte negativ, megjithatë forca të shumta policore, përfshirë këtu edhe ato elitë të ndërhyrjes u angazhuan në mbajtjen 200 metër larg vendit të organizimit të ceremonisë të protestuesve.

Policia u bëri thirrje që të shpërndaheshin dhe pas refuzimit të ekstremistëve përdori forcën për t’i shpërndarë. Katër persona u arrestuan, ndërkohë që nuk raportohen të lënduar.

Martesat mes arabëve që jetojnë brenda territorit të Izraelit dhe hebrenjve vitet e fundit kanë patur një rritje, por sa herë që përshkallëzohen tensionet në Gaza, këto martesa janë pre e kundërshtimit nga grupet ekstremiste nga të dyja krahët.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel