Halle Berry humbet përkohësisht kujdestarinë e djalit, ish-bashkëshorti e akuzon për abuzim fizik

03/10/2026 09:00

Halle Berry dhe ish-bashkëshorti i saj, Olivier Martinez, janë përfshirë në një tjetër betejë ligjore, këtë herë për kujdestarinë e djalit të tyre 12-vjeçar, Maceo.

Martinez ka siguruar përkohësisht kujdestarinë kryesore të djalit, pasi në dokumentet e paraqitura në një gjykatë në Los Angeles ka akuzuar Berry-n për abuzim fizik ndaj fëmijës. Pala e aktores i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si “plotësisht të pabazuara”.

Sipas vendimit të përkohshëm, Berry lejohet të takohet me djalin dy ditë në javë dhe çdo fundjavë të dytë. Çështja pritet të shqyrtohet sërish në një seancë të planifikuar më 16 tetor.

Martinez pretendon se gjatë rreth 18 muajve të fundit Berry është përfshirë në disa përplasje fizike me djalin e tyre. Sipas tij, në disa raste ajo e ka kapur Maceon nga qafa, ndërsa ai pretendon se sjellja paraqitej prej saj si një lojë, por fëmija nuk e konsideronte të tillë.

Akuza më serioze lidhet me një incident që, sipas deklaratës së Martinez, ka ndodhur në dhomën e Maceos teksa ai po përdorte një pajisje të realitetit virtual.

Martinez pretendon se Berry hyri në dhomë, filloi ta shtynte djalin dhe më pas situata u përshkallëzua. Sipas tij, aktorja e ofendoi dhe më pas e kapi nga fyti, ndërsa bërtiste: “Kush është përgjegjës tani?”. Martinez thotë se Maceo arriti të largohej dhe nisi të bërtiste.

Në dokumentet e gjykatës, ai pretendon gjithashtu se partneri aktual i Berry-t, Van Hunt, hyri në dhomë dhe ndihmoi Maceon. Më vonë, sipas Martinez, djali e telefonoi dhe i kërkoi që të shkonte ta merrte menjëherë.

Pala e Halle Berry i ka mohuar akuzat. Avokatja e saj, Marina Beck, e ka cilësuar kërkesën e Martinez si “plotësisht të pabazuar”, ndërsa një burim pranë aktores ka pretenduar se ish-bashkëshorti i saj po përpiqet ta dëmtojë atë duke përdorur konfliktin rreth djalit.

Berry dhe Martinez u ndanë në vitin 2015, ndërsa divorci i tyre u finalizua në vitin 2023, pas vitesh mosmarrëveshjesh ligjore.

Në vitin 2024, Berry kishte kërkuar kujdestarinë e vetme të Maceos, duke pretenduar se djali po përballej me vështirësi në shkollë dhe kishte nevoja të veçanta arsimore. Ajo kishte argumentuar gjithashtu se Martinez nuk i kuptonte ose i neglizhonte këto vështirësi.

Të dyja palët pritet të paraqesin prova dhe argumente në seancën e 16 tetorit, ku gjykata do të shqyrtojë urdhrin e përkohshëm mbrojtës dhe çështjen e kujdestarisë së Maceos.

Top Channel