Turqia zgjedh sot Presidentin e ri

10/08/2014 00:00

Turqit kanë nisur të votojnë këtë të diel për Presidentin e ri të vendit, post të cilin pritet ta zërë Recep Tayyip Erdogan, duke përmbushur kështu ëndrrën e tij për atë që ai vet e quajti “një Turqi të re”, ndërsa kundërshtarët e tij politik e quajnë “një komb gjithnjë e më autoritar”.

Në garën elektorale për postin e kreut të shtetit kandidojnë Ekmeledin Ihsanoglu, i cili ka shërbyer si diplomat i Turqisë për vite me radhë; Selahatin Demirtas, politikan kurd dhe njëherësh udhëheqës i Partisë së krahut të majtë Popullor; si dhe kryeministri i tanishëm Recep Tayyip Erdogan. Të tre kandidatët përfaqësojnë ideologji të ndryshme politike.

Por, sipas Kushtetutës turke, nëse asnjë prej tyre nuk merr 50%+1 të votave, pritet të mbahet një raund i dytë zgjedhjesh, më 24 Gusht.

Fitorja e Erdogan do ta fuste atë në histori si Presidenti i parë i vendit i zgjedhur me votën e popullit, pas më shumë se një dekadë në postin e kryeministrit të vendit, kohë gjatë së cilës Turqia është shfaqur si një fuqi ekonomike rajonale, por që me mbështetjen e gjerë konservatore fetare, ajo po transformohet shumë nga republika laike e themeluar prej Mustafa Kemal Ataturk, në vitin 1923.

Por, kritikët e tij paralajmërojnë se Erdogan, në rolin e Presidentit, duke ditur rrënjët e thella të tij në politikat islamike dhe intolerancën ndaj kundërshtive, do ta çojë vendin anëtar të NATO-s dhe kandidatin për t’u anëtarësuar në BE shumë më larg idealeve të laicitetit të Ataturkut.

Në një prej lagjeve qendrore të Stambollit, ku kundërshtimet ndaj Erdogan janë të forta, disa votues thanë se ata nuk dëshirojnë një President autoritar, por një që do të ishte i paanshëm dhe gjithëpërfshirës.

“Nuk duam një President autoritar dhe të njollosur, duam një që të mbrojë sistemin parlamentar dhe interesat e popullit”, tha arkitekti Ahmet Kensoy, 62 vjeç. “Ai duhet të jetë i pavarur dhe i paanshëm, duke përfshirë të gjithë shoqërinë”.

Rreth 53 milionë turq kanë të drejtë vote, teksa procesi ka nisur që prej orës 7 të mëngjesit (8 me orën lokale) e do të përfundojë në 16:00 (apo 17:00 me orën lokale). E megjithatë, ndryshe nga procesi zgjedhor lokal i muajit Mars, këtë herë ka pasur shumë pak njerëz nëpër qendrat e votimit gjatë këtyre orëve të para.

Sondazhet bëjnë të ditur se Erdogan, 60 vjeç tashmë, do të dalë shumë i avancuar nga dy rivalët e tjerë që garojnë për një mandat 5-vjeçar si President. Në të kaluarën, ka qenë Parlamenti, ai që ka zgjedhur kreun e shtetit, por ky ligj është ndryshuar nga një ligj i nxitur prej qeverisë së Erdoganit.

Ai synon të drejtojë për dy mandate presidenciale vendin, gjë që do ta mbante atë në pushtet deri në vitin 2023, kur dhe do të shënohet 100-vjetori i Republikës laike të Ataturkut. Një datë që, për një lider i cili i referohet shpesh herë nëpër fjalime historisë Otomane, ka një domethënie speciale.

Top Channel