SHBA-ja dhe OKB-ja kanë dënuar rifillimin e luftimeve mes Hamasit dhe Izraelit, duke i bërë thirrje të dyja palëve të ndërpresin luftimet.
“Izraeli dhe grupet palestineze duhet të ndërpresin luftimet dhe të vazhdojnë bisedimet për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm në Gaza. Vendimi i Hamasit për të rifilluar sulmet me raketa jo vetëm që do të vërë në rrezik popullin izraelit dhe palestinez, por është një hap mbrapa për dhënien fund të dhunës”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, i cili shtoi se SHBA-ja vazhdon të besojë në një marrëveshje për një armëpushim afatgjatë.
Ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara tha se rinisja e vuajtjeve për civilët e pafajshëm është e patolerueshme. Në një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon shkruhej: I bëj thirrje palëve që të gjejnë një mënyrë për të ndalur sulmet dhe të respektojnë armëpushimin humanitar për të vazhduar negociatat në Kajro për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm.
Izraeli nisi sërish sulmet në Gaza pas skadimit të armëpushimit 3-ditorë të premten në mëngjes, duke thënë se ishte një përgjigje ndaj sulmit me raketa të Hamasit.
Përfaqësues të Hamasit u shprehën se refuzuan zgjatjen e armëpushimit sepse Izraeli nuk kishte përmbushur kërkesat e tyre.
Pesë persona u vranë gjatë së premtes në Gaza, ndërsa dy izraelitë u plagosën nga mortajat e nisura nga Hamasi.
Deri tani më shumë se 1900 palestinezë, kryesisht civilë, janë vrarë në këto 4 javë luftime në Rripin e Gazës, ka thënë OKB-ja. Gjithashtu, në konflikt kanë mbetur të vdekur edhe 67 izraelitë, duke përfshirë edhe civilë.
Top Channel