Luftime në krahinat pro-ruse të Ukrainës

05/08/2014 00:00

Luftime të ashpra kanë shpërthyer në një periferi të bastionit rebel të Donjeckut, në Ukrainën Lindore. Sipas burimeve, shkak për sulmet u bë përpjekja e ushtrisë ukrainase për të rimarrë qytetin në kontrollin e tyre.

Autoritetet thanë se shumica e të vrarëve janë civilë. Si pasojë e trazirave, energjia elektrike është ndërprerë në pjesën më të madhe të zonës dhe kudo dëgjohen të shtëna të fuqishme armësh.

Kriza në Ukrainën Lindore ka bërë që banorët në Ukrainë ta mendojnë, nëse do të vazhdojnë të jetojnë mes luftës ose jo.

Sipas një raporti të OKB-së, shifrat e njerëzve që janë larguar nga territori i Ukrainës përkojnë me një rritje të mprehtë të luftimeve, midis rebelëve separatistë pro-rusë dhe forcave vendase të sigurisë. Më shumë se 1,000 njerëz po largohen çdo ditë nga zonat luftarake.

Nga ana tjetër, ekspertë amerikanë të luftës, të cilët e kanë ndjekur në vazhdimësi situatën në Ukrainën Lindore, shprehen të shqetësuar për avancimin e sulmeve. Ata nuk e kishin parashikuar se konflikti do të zgjaste kaq shumë, pasi, sipas burimeve, Rusia vazhdon t’i pajisë me mjete ushtarake rebelët e saj.

Një shqetësim tjetër i tyre është roli i presidentit Putin në gjithë këto trazira. Sipas amerikanëve, ai po luan një lojë të rrezikshme, e cila nxit armiqësi. Në të njëjtën kohë, ata thonë se Putin është duke u bërë gjithnjë e më tepër i izoluar dhe akoma më i paparashikueshëm.

“Rrethi i këshilltarëve të Putinit është tepër i vogël, – tha një zyrtar, – ndaj ai mund të veprojë me iniciativën e tij të lirë dhe pa u konsultuar me asnjë”.

Top Channel