100-vjetori i Deklaratës së Luftës

03/08/2014 00:00

Presidentët e Francës dhe Gjermanisë do të takohen për të përkujtuar 100-vjetorin e deklaratës së luftës nga ana e Gjermanisë kundrejt Francës, më 3 Gusht 1914.

Francois Hollande dhe homologu i tij gjerman, Joachim Gauck, do të marrin pjesë në një nderim të përbashkët, në Alsace, ndaj ushtarëve të vrarë gjatë Luftës së Parë Botërore. Ata do të vënë gjithashtu edhe gurin e parë të memorialit në varrezat e Vieil Armand.

Të hënën, shfaqje përkujtimore do të mbahen edhe në Belgjikë, për të shënuar deklaratën e luftës së Britanisë kundrejt Gjermanisë. Kryeministri britanik, David Cameron, do të marrë pjesë në ceremoninë përkatëse, për të shënuar ditën kur Britania hyri në luftë.

Rreth 30 mijë njerëz u vranë në malet përreth Vieil Armand, që njihet nga gjermanët si “Hartmannswillerkopf”. Varrezat në këtë zonë mbajnë eshtrat e 12 mijë ushtarëve të paidentifikuar.

Hollande dhe Gauck do të nderojnë sakrificën e atyre njerëzve, si dhe do të nënvizojnë më pas rëndësinë e marrëdhënieve moderne franko-gjermane në Europë.

Ata do të vendosin gurin e parë për memorialin “Lufta e Madhe” dhe qendrën, ku do të ngrihet një ekspozitë, që pritet të hapë dyert e saj për publikun në vitin 2017.

Dy liderët do të takohen sërish gjatë së hënës, këtë herë në qytetin belg të Liezhit, ku krerët e shteteve nga e gjithë Europa do të përkujtojnë përshkallëzimin e luftës, pasi Gjermania pushtoi Belgjikën.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel