Ukrainë, rrëzohet avioni me 298 persona

17/07/2014 00:00

Një Boeing 777 i kompanisë së fluturimeve “Malaysia Airlines” me 299 persona në bord është rrëzuar në lindje të Ukrainës.

Avioni me 283 pasagjerë dhe një ekuipazh prej 15 personash ka humbur kontaktet me kullat e kontrollit dhe është rrëzuar në rajonin e Donetskut.

Lajmi është njoftuar fillimisht nga mediat ruse ato ukrainase dhe më pas edhe vetë Malaysia Airlines e cila nëpërmjet Twitter tha se kishte humbur kontaktet me fluturimin “MH17” i nisur nga Amsterdami drejt Kuala Lumpurit.

Nuk ka asnjë të mbijetuar. Agjencia e lajmeve Interfax në Moskë thotë se nuk bëhet fjalë për një aksident, por për një sulm ndaj avionit i cili më pas është përplasur në tokë.

Edhe zyrtarë të autoriteteve ukrainase mbështesin këtë version, por fajësojnë separatistët pro-rusë për sulmin.

Presidenti Barack Obama u shpreh se SHBA do te ofrojë çdo ndihmë të mundet për të përcaktuar se çfarë fshihet pas rrëzimit të avionit, si edhe i ngushëlloi familjaret e viktimave. Ai shtoi se një nga përparësitë kryesore që administrata e tij u përball, ishte përcaktimi nëse kishte në bord ose jo qytetare amerikane.

Gjithashtu dhe Bashkimi Europian shprehu tronditje të thellë në lidhje me ngjarjen si edhe kërkoi një “hetim të plotë dhe të menjëhershëm”. Në një deklaratë presidenti i Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso tha se “faktet dhe përgjegjësitë duhet të dalin sa më shpejt të jetë e mundur.

I ndodhur më pranë tragjedisë presidenti i Ukrainës , Petro Poroshenko shprehu ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta për familjet dhe miqtë e atyre që vdiqën në këtë aksident  të tmerrshëm. Nga ana tjetër dhe Presidenti rus, Vladimir Putin, i kërkoi Kryeministrit malajzian përcjelljen e ngushëllimeve të tij, si edhe u siguroi mbështetje në zbardhjen e avionit të ‘Malaysia Airlines’.

Zona ku ka rënë avioni është zona e nxehtë e konfliktit mes ushtrisë
ukrainase dhe separatistëve pro-rusë. Ditët e fundit 3 avionë ukrainas
janë rrëzuar prej rebelëve. Kievi për këtë akuzon Moskën se po furnizon
me sisteme anti-ajrore rebelët.

Kryeministri malajzian u shpreh i tronditur nga lajmi dhe njoftoi nisjen
e menjëherëshme të hetimeve për të zbardhur shkaqet e rrëzimit të
avionit. Lidhur me incidentin e rëndë ka folur edhe i dërguari rus në
Kombet e Bashkuara. Ai mohoi çdo mundësi që avioni të jetë rrëzuar nga
separatistët pro-rusë në rajonin e Donetskut.

Rrëzimi i avionit mbërrin në një periudhë jo të mirë për kompaninë
malajziane të fluturimeve, e cila është vënë në qendër të kritikave nga
familjarët e pasagjerëve të fluturimit MH370 i nisur nga Kuala Lumpuri
drejt Pekinit. Avioni u zhduk më datë 8 mars dhe megjithë kërkimet e
shumta në Oqeanin Indian, asnjë shenjë e rrëzimit të tij nuk është
gjetur.

SHBA: Avioni u godit nga një raketë

Shtetet e Bashkuara kanë arritur në përfundimin se avioni i “Malaysia Airlines” është goditur nga një raketë. Një zyrtar i lartë amerikan ka thënë për CNN se radarët kanë kapur një raketë e cila ka goditur avionin me 298 pasagjerë. Shtetet e Bashkuara janë duke analizuar trajektoren e raketës për të arritur në përfundimin se nga ajo është nisur.  
 

FOTO GALERI
2/7

Top Channel