Skoci, zjarr masiv në Glasgou

11/07/2014 00:00

Disa dhjetëra zjarrfikës kanë kaluar natën duke luftuar një zjarr masiv që ra jashtë një kompleksi industrial në perëndim të Glasgout, në Skoci.

Zjarri lëshoi tym të zi nga gomat që digjeshin, duke u përhapur në mbarë qytetin dhe që mund të shihej nga milje larg. Zjarri ra mbrëmjen e së enjtes në një depo gomash autobusi dhe vetëm në orët e para të ditës së sotme flakët janë vënë nën kontroll.

Në mediat britanike nuk ka pasur raportime për viktima apo për të lënduar, por është saktësuar se rreth 75 zjarrfikës luftuan me zjarrin, 55 prej të cilëve ndodhen ende në vendngjarje.

Re të mëdha tymi mbushën qiellin dhe grupe njerëzish u mblodhën për të fotografuar dhe filmuar zjarrin. Retë mund të shiheshin pothuajse nga të gjitha anët e qytetit.

Një zëdhënës i shërbimit të zjarrfikësve tha: “Ekipet u mobilizuan me shpejtësi dhe kur mbërritën në vendin e ngjarjes, një kompleks industrial riciklimi, u përballën me një zjarr agresiv”.

Sipas tij, për shkak të përmasave dhe natyrës së zjarrit, komandanti i zjarrfikësve kërkoi forca shtesë për t’u përballur me situatën.

Edhe pse në zonën ku ra zjarri ndodhen shumë komplekse industriale, zjarrfikësit paralajmëruan rezidentët që të mbanin të mbyllura dritaret për shkak të resë së madhe të tymit.

Në vendin e ngjarjes mbërriti edhe policia, e cila mbajti larg kuriozët dhe vendosi postoblloqe në disa rrugë për të ndaluar hyrjen atje.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel