“Ina Rama” në Gjykatën Administrative

10/07/2014 00:00

Gjykata Administrative mbylli shqyrtimin gjyqësor me palë paditese ish-prokuroren e përgjithshme Ina Rama, e cila kërkon në rrugë gjyqësore që të urdhërohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë që ta emëroje në Gjykatën e Apelit në Tiranë.

Pasi dëgjoi konkulzionet e të dyja palëve, të avokatit të ish-kryeprokurores dhe të juristes së KLD-së, gjykata u tërhoq për t’u menduar për vendimin, të cilin do ta shpallë pas katër ditësh, më datë 14 korrik, ora 14.

Për avokatin e zonjës Rama, Fatmir Braka, vendimi i mëparshem i KLD, që i hodhi poshtë kërkesën për ta në gjyqësor, është jo vetëm anti-ligjor, por edhe politik.

“Vendimin e KLD-së do ta përkufizoja anti-ligjor, të padrejtë dhe haptazi në kundërshtim me ligjin. Gjithëkush në Shqipëri e merr vesh që është edhe politik”, deklaron Braka.

Edhe pse përpiqet që të mos paragjykojë vendimin që do shpallë kjo gjykatë, avokati Braka sheh me dyshim influencën e KLD-së, që eshte pala e paditur ne gjykaten administrative.

“I qëndroj mendimit se gjykata e futi procesin në rreth vicioz, sepse nuk ka një standart të njëjtë në Gjykatën Administrative. Sepse në rastin tjetër ndryshoi gjyqtarin, ndërsa në rastin tonë e hodhi kërkesën. Kjo e bën procesin me dy standarde. Megjithatë, unë nuk mund ta paragjykoj vendimin”, thotë Braka.

Ish-prokurorja e përgjithshme përgjatë viteve 2007-2012 depozitoi padine civile menjëherë sapo KLD refuzoi ta kthejë në gjyqësor, edhe pse ajo më herët ishte pjesë e togave të zeza.

Pas rrëzimit të kërkesës, zonja Rama jo vetëm këmbëngul që të emërohet në Apelin e Tiranës, por edhe që KLD, e cila i ka shkaktuar këtë vonesë prej dy vitesh, ta dëmshpërblejë duke i paguar të gjitha pagat e munguara që nga dhjetori 2012, si edhe t’i paguajë dëmin moral të shkaktuar nga disa anëtarë të Këshillit.

Argumenti ku mbështet padinë e saj ish-kryeprokurorja është jo vetëm në referim të ligjit, por edhe nisur nga vendet vakante në Gjykatën e Apelit, aq më tepër që disa nga anëtarët e KLD-së, sipas saj, në çastin e vendimmarrjes ishin në konflikt interesi, duke qenë se ishin njëkohësisht edhe gjyqtarë në Gjykatën e Apelit.

Top Channel