Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve ka çelur sezonin turistik në qytetin e Korçës. Për të shtatin vit rradhazi kllounët, kërcimtarët dhe personazhe të jetës së përrallave prezantuan numrat e tyre duke entuziazmuar dhe gjallëruar gjithë qytetarët.
Parada shumëngjyrëshe këtë vit solli 27 grupe të cilat pasi marshuan në bulevard qëndruan në sheshin para Katedrales, ku ofruan performancat e tyre.
Gjithashtu, në këtë festival karnavalesh nuk munguan muzika klasike, kërcimet, ballot me maska dhe serenatat korçare.
Festivali i karnavaleve, sipas kreut të bashkisë, nga viti në vit ka ardhur duke u rritur, ndërsa synon tërheqjen e turistëve.
“Sot organizohet festivali. Karnavali është një traditë e hershme, por që është kthyer në vitet e fundit nga bashkia, duke i dhënë qytetit sharmin e dikurshëm”, deklaroi kryebashkiaku Sotiraq Filo.
Qindra qytetarë mbushën qendrën e qytetit, ku pjesa më e madhe e tyre ishin të veshur me maska e kostume plot ngjyra.
Top Channel