Napoli ngre trofeun e Kupës së Italisë

04/05/2014 00:00

Napoli është fitues i Kupës së Italisë, pasi skuadra e Benitez mposhti të shtunën në mbrëmje 3-1 Fiorentinën në “Olimpico” të Romës, duke e bërë të tijin këtë trofe për të pestën herë.

Një ndeshje spektakolare, pavarësisht nisjes së saj 45 minuta me vonesë, për shkak të përleshjeve mes tifozëve të të dy ekipeve përpara takimit.

Sa i përket takimit, “të kaltrit” kalojnë menjëherë në avantazh të dyfishtë, falë dygolëshit të Insigne-s, në minutat 11’ dhe 17’, ndërkohë që për Fiorentinën shkurtoi diferencën Vargas, në të 28-n, përpara se Mertens t’i shuante përfundimisht shpresat e ekipit “viola” në minutën e 92.

Një sukses i arritur edhe me sakrifica, duke ditur se Napoli luante me 10 lojtarë, që pas daljes me karton të kuq të Inler, ndërkohë që për Fiore-n u rikthye në fushë Giuseppe Rossi, pas një dëmtimi të gjatë.

Imazhi më i keq i një nate më parë u shkaktua duke nisur rreth 2 orë përpara takimit, ku pranë stadiumit plasi një “luftë guerrile” mes ultrasve dhe forcave të rendit. Në Itali e konsiderojnë edhe si shfaqjen e radhës së fuqisë së ultrasve, të aftë për të mbajtur në ankth mbi 65 mijë persona, që kishin blerë biletat për në stadium, të zhvillonin një përballje me lojtarët dhe autoritetet, të vononin nisjen e takimit, madje deri atje sa të vërshëllehej edhe himni italian. Një “spektakël” i panevojshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA