Arti mësyn në vilën e Enverit

01/05/2014 00:00

Në vilën e Enver Hoxhës në Tiranë artistët rrëzuan atë që u komentua si “rrëzimi i perdes së hekurt”. Artistë, por edhe shumë njerëz të tjerë kureshtarë mësynë në atë shtëpi që ka qenë për vite me radhë misterioze. Por kureshtja i shtynte të gjithë të shikonin se ku ka jetuar diktatori dhe familja e tij.

Ema Andrea, një nga organizatoret ishte e ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, ku ka folur në lidhje me ndjenjat e përjetuara në ato ambiente, lindjen e kësaj ideje si edhe për projekte të tjera të ngjashme.

Pandi Gjata: Si lindi ideja për të performuar në një ambient të tillë?  

Ema Andrea:
Gjithmonë veprat e mija kanë qenë të diskutueshme. Ka një vit që bashkëpunoj me Klod Dedën, i cili tenton gjithmonë të ketë qasje me artin kontemporan, në Europë është bërë i natyrshëm. Prej një viti punoj me të rinjtë dhe me performanca të ndryshme, kështu që kjo ide erdhi natyrshëm nga një rrugëtim 1 vjeçar që arti kontemporan ti afrohet jetës sociale. Ne shpesh flasim për të kaluarën, populli shpesh po kapet pas saj, diku me dhimbje. Në një debat të hapur se çfarë duhet bërë me objektet, deri dje të paprekshëm, aty nisi e gjithë dëshira jonë. Po luhet shumë me të kaluarën, të afërt dhe të largët dhe të gjitha këto ndjesi u bashkuan atë ditë, në një moment të vetëm vumë në zbatim këtë ide në një projekt konkret. Pati përkrahjen e zotit Erion Veliaj, drejtoreshës së Shërbimeve Qytetare, Kamela Vojka.

Pandi Gjata: Si ishte e ndërthurur e kaluara dhe arti?

Ema Andrea: Më vjen mirë që ajo vilë u hap me artin kontemporan. Ai objekt merr vlen në bazë të asaj që ti ke si perceptim. Kur futesh aty pesha e historisë që ajo mbart, e personazhit janë shumë për një person dhe kur hyn aty çdo gjë përzihet dhe objektet kanë vlerë të çuditshme. Tryeza në të cilën një qenie njerëzore ka shkruar të duket si tryeza ku janë marrë vendime të rëndësishme për jetën e një populli të tërë.

Pandi Gjata: Cili ishte ambienti më interesant?

Ema Andrea: Dhoma e gjumit dhe biblioteka, aty kurioziteti ishte më i madh. Mendohet se aty janë marrë vendimet. Në një dimension ne i dhamë një kuptim tjetër vlere këtij ambienti, i cili ka një trysni shumë të fortë prej kujtesës dhe jo prej mureve dhe objekteve.

Pandi Gjata: Çdo gjë provokon apo ka debate në këtë vend. Ju ishit të bindur që do të kishte edhe një reaksion të tillë që edhe “po ngjallet Enveri”?

Ema Andrea: Jo nuk kishte një reagim të tillë. Kur mendoj qëllimin mbi të cilin u ngrit ky projekt, lodhjen e jashtëzakonshme, dedikimin e artistëve, idenë, nuk di si të reagojë para kësaj. Kam vënë re se familjet e persekutuara janë sjellë me tepër fisnikëri ndaj vuajtjeve të tyre dhe kjo më është kujtuar në momentin që jam futur brenda. Nuk e ka fajin një familje, nuk e ka fajin një person, por ai është më i gjerë se sa kaq. Nëse një grup artistësh do të provokonin këtë ndjesi do të thotë që kjo është brenda atyre njerëzve dhe kjo nuk ka lidhje as me qëllimin dhe as me performancat tona. Arti rrëzon barriera dhe krijon ura komunikimi, të cilat edhe mund të keqkuptohen.

Pandi Gjata: Në vilën e Enverit pati video art , performancë, instalacion, por edhe muzikë kineze dhe sovjetike të viteve ’70.


Ema Andrea:
Ishte një vepër e Rubin Beqos, i cili zgjodhi të përfaqësohej me disqe të vjetra të gjetura në arkivin e Radio Tiranës, të cilat nuk përdoreshin më. Ato kanë gjithë historinë e lidhjeve dhe çlidhjeve politike që ka Shqipëria. Kjo ishte edhe pak zgjedhje ironike. Kjo do të ishte e rëndësishme për ne që njerëzit të kenë më shumë kontakt me veten. Publiku shqiptar ende i gjykon veprat artistike si diçka që nuk i përket, por në fakt po tentojmë që publiku të jetë pjesë e asaj që po ndodh.

Pandi Gjata: A do të vazhdojë ky projekt?

Ema Andrea: Në vetvete projekti kishte një projekt pilot. Së shpejti kemi një projekt në metalurgjikun e Elbasanit, i cili është shumë konkret dhe ka filluar puna edhe për atë. Në 2 ditë metalurgjiku do të kthehet në qytet arti, do të ketë edhe artistë ndërkombëtarë që do të marrin pjesë. Presim dhe shpresojmë diçka më tepër në Pallatin e Brigadave. Jam tepër entuziaste për projektin e metalurgjikut në Elbasan, të kthesh një vend të degraduar, që mbart historinë, në një qendër arti, lirie do të jetë një hap shumë i rëndësishëm, jo vetëm për ne si artistë, por edhe me publikun dhe mbi të gjitha me rininë.  Kjo është një qasje ndryshe me publikun, ta gjesh lirinë e shprehjes aty ku për kujtesën tonë simbolizohet dhuna dhe mungesa e lirisë, kjo për mua është shumë e rëndësishme nga ana sociale dhe artistike.

Top Channel