Është një nga qendrat arkeologjike më të rëndësishme, por kjo nuk ka mjaftuar që Amantia të marrë vëmendjen e kërkuar. Larg Tiranës dhe Vlorës qyteti antik veç vitesh harresë gjendet i pambrojtur edhe përballë barbarisë së abuzuesve që e kanë kthyer në modë tashmë dhunimin dhe shkatërrimin e zonave të tilla duke marrë në këtë mënyrë pjesë të rëndësishme të kulturës dhe identitetit kombëtar.

Në shekullin e katërt para Erës Sonë zbulohet si një qendër që në pak kohë do të kthehej nga vendbanim i thjeshtë në një qytet të zhvilluar. Me një identitet të fortë të kohës, Amantia, sipas studiuesve ka marrë frymë për jo më pak se 10 shekuj, të mjaftueshëm për të përballuar beteja, pushtimet romake e rënie-ngritjet e zotërve të tij që mendohet se i përkisnin fisit ilir të taulantëve. Në mesjetë nis të humbë ngadalë, por pa i shuar gjurmët e historisë së lashteë, deri sot kur duket sikur të njëjtat gjurmë po shkojnë duke u tretur me kohën e harresën.

Parku arkeologjik që ngrihet kah fshatit Plloç shtrihet në një zonë të gjërë që shkon deri tejmi në kufij me fshatrat Sevaster, Amonicë e Vajzë. Pritjen e parë ta ofron stadiumi, sic e quajnë vendasit e që daton mes shekullit të tretë dhe të dytë para Erës së Re. Dikur me një kapacitet prej mëse 2 mijë vendesh ku zhvilloheshin përleshje, vrapime, hedhje shtize e disku ndryshe nga sot ku mbizotëron heshtja, e mbi të gjitha kur dëmtimet i kanë prekur e grryer gjithë trupin. Erozioni ka fundosur një pjesë të mirë të gurëve apo shkallarëve , ndërsa pjesa tjetër ka rrëshqitur sa majtas e djathtas.

Rruga për më tejmi në qendër të parkut e ku ngrihet edhe një lagje e fshatit është e katandisur si mos më keq, vështirë e arritshme pa një makinë të lartë e të mendosh se kjo është një qendër arkeologjike që duhet të vizitohet të paktën në letër, nga turistë të shumtë. Sipërmi gjendja është edhe më e keqe. Muzeu i dikurshëm është një ngrehinë e shkatërruar, ndërsa muret janë pushtuar nga gardhishte e rrethime gjithfarësh.

“Fare! Asnjë gjë s’ka ndryshuar. Shih rrugën, kryesorja, ngec makina. Kjo është e gjitha”, thotë Resmie Xhelili, banore e zonës.

Dëmtimet dallohen kudo, gurë të shpërndarë gjithëtutje, të tjerë kanë zënë vend shtëpive a përdoren për të lidhur bagëtitë, e mes tyre banorët që thonë se kanë dëgjuar shumë, por s’kanë parë kënd të bëjë të paktën diçka për këtë vend.

“Një gurë që mund të jetë sot, mund të mos e gjesh nesër, një nga këta blloqet kushedi sa kohë është dashur për të skalitur dhe për të cuar në atë pozicion që duhet. Ndërsa sot nuk e dimë se si do përfundojë kjo”, thotë një tjetër banor i zonës.

“Kanë ardhur gjithmonë, por asgjë nuk kanë bërë. Ja po të kishin bërë ndonjë gjë do dukesh. Po të bëhej! Edhe turistët janë larguar shumë këtu tek ne. Shpresojmë që do rregullohet”, thotë Adelina Abazi, banore e zonës.

Sikur të mos mjaftonin dëmtimet e ardhura si pasojë e mungesës së investimeve në mirëmbajtje, Parkut Arkeologjik i janë turrur si egërsira edhe abuzuesit e shumtë. Vetëm pak kohë më parë dy arkeologë punonin për zbulimin e një varri të njohur si i çifutit, por mjaftoi vetëm ta zbulonin , sepse një mbrëmje gjithcka u shkatërrua.

Arkeologët e Institutit Arkeologjik vunë kujën, por kjo shërbeu vetëm për të bërë të njohur skandalin, sepse varri tashmë ishte dëmtuar në mënyrë të pariparueshme. Kërkimet mund të quheshin zyrtarisht në këtë pjesë vetëm një kujtim i së shkuarës.

Ministria e Kulturës, sic thotë edhe roja i vetëm i parkut është përpjekur të marrë masa duke bërë një riorganizim të plotë cka kthen në fokus pas mëse 24 vitesh këtë park arkeologjik, që megjithatë duket se do të jetë vështirë i kontrollueshëm nëse nuk merr një vëmendje më të madhe e mbi të gjitha fonde të mjaftueshme për restaurimin dhe ruajtjen e plotë të tij.

“Duhet  të vendosen rojet, duhet të ketë shërbim 24 orë, dmth të ketë roje, të punohet me turne në këtë drejtim se një njeri ditën, një mirëmbajtës dhe të shoqërojë edhe vizitorët, sidomos në këtë periudhë se do të fillojnë edhe vizitorët, nuk është e mundur . Kështu që Ministria këto kohët e fundit ka marrë masa që të vendosë një arkeolog dhe dy punonjës , ndaj do të jetë më e kontrrolluar kjo punë”, thotë Agim Xheliliz, banor i fshatit Plloç.
Duke lënë në krah rrënojat e kishës palokristiane dhe ato të tempullit të Afërditës mjafton vetëm një vizitë e thjeshtë në pjesë të ndryshme të territorit të parkut për të gjetur zona të tjera të sulmuara nga barbarë që mirë të orientuar vinë për të grabitur objekte arkeologjike, stoli, monedha apo në kërkim të ndonjë thesari.

“Ky është një nga këto plaçkitjet, gërmimet fantazmë që mund të quhen se janë bërë këto kohët e fundit. Si ky janë disa të tjerë janë gërmuar , këtu rreth Amantias, brenda në Amantia dhe këtu është si në hyrje të Amantias ky varr dhe janë gërmuar, e këtu mund të shikosh edhe vetë me syte e kamerës edhe kockat”, thotë Fadil Sala.  
Gërmime të tilla janë kryer shumë e banorët thonë se kanë denoncuar e lajmëruar çdo herë policinë që duhet të udhëtojë nga qyteti i Vlorës mbi 30 kilometra larg, ndërkohë që grabitësit kanë pasur kohë të largohen në drejtim të paditur. Askush nuk është dënuar, askujt nuk i janë vënë prangat, askush nuk ka mbajtur deri më sot përgjegjësi për shkatërrimin e një zone që duhet të ishte në hartën turistike. Në pamundësi për t’ia dalë të vetëm, shumica  e banorëve janë larguar duke e lënë Plloçën që sot nga 60, ka vetëm 35 familje.

Kjo është Shqipëria që po humbet cdo ditë vlerat mbi të cilat ka ndërtuar identitetin, ka ndërtuar ekzistencën, ka ndërtuar kombin mes shekujsh të turbullt e fort të luftuar pikërisht që këto vlera e ky qytetërim të mos shuheshin.

Vlera që sot po zhduken duke rrezikuar që nesër ky vend të gdhihet pa patur më asgjë nga historia e tij.

Top Channel