Pallati ku nuk lejohet duhani, parfumi dhe celulari

07/04/2014 00:00

Një pallat i ri i ndërtuar në periferi të Zyrihut ka rregulla tepër strikte të cilat ndalojnë duhanin, parfumin dhe celularin, duke u kthyer në një parajsë për njerëzit e ndjeshëm ndaj kimikateve të përditshme.

“Që fëmijë vuaja nga aroma e parfumeve apo locionit të duarve dhe ky pallat do e ndryshojë krejtësisht jetën time”, thotë Christian Schifferle, 59-vjeçari i cili është kryetar i “Jetës së Shëndetshme”, organizatës përgjegjëse për këtë projekt.

Schifferle dhe banorët e tjerë të këtij pallati vuajnë nga një sindromë që i bën tepër të ndjeshëm ndaj kimikateve, por ky çrregullim nuk njihet gjerësisht nga komuniteti mjekësor.

Këta banorë nuk durojnë dot edhe radiacionin që lëshohet nga pajisjet me “wireless” dhe për këtë arsye ky pallat nuk pranon as celularët.

“Këto gjëra më shtojnë ankthin, nuk marr dot frymë dhe trullosem”, thotë Schifferle.

Ky është pallati i parë i këtij lloji në Europë dhe autoritetet në Zyrih mendojnë se në Zvicër ka plot 5 mijë persona që kanë të njëjtin çrregullim si Christian Schifferle.

Top Channel