F1, Alonso: Bahreini, garë e vështirë për të gjithë

02/04/2014 00:00

Këtë fundjavë do të zhvillohet Cmimi i Madh i Bahreinit, gara e tretë sezonale e Formulës 1, dhe Fernando Alonso e ka analizuar atë në faqen e internetit të skuderisë Ferrari.

Spanjolli mendon se do të jetë një garë më pak e ndërlikuar në krahasim me dy të parat, por më e vështirë për pjesën mekanike.

“Tani e njohim më mirë rregulloren dhe e dimë si shkojnë garat e këtij viti. Jemi mësuar edhe me punën e përbashkët të pjesës elektronike të makinës me motorin. Për ta përmbledhur, ne si pilotë dimë t’i manovrojmë më mirë makinat e reja. Do të jetë një garë më e lehtë se ajo që parashikonim në shkurt.”

Nga ana teknike, Alonso e analizon kështu pistën e Bahreinit: “Pjesa më e vështirë janë frenimet. Ka një vijë të gjatë të drejtë, vjen një frenim i fortë, pastaj sërish vijë e drejtë që pasohet nga një tjetër frenim i fortë… Frenat dhe shpejtësia maksimale do të jenë prioritet në rregullimin e makinës për këtë garë.”

Dy herë kampioni i Formulës 1 mendon se do të jetë një garë e vështirë për të gjithë: “Në testimet parasezonale çdo skuadër pati probleme dhe pres një garë stresuese për pjesën mekanike.”

Top Channel