Bashkëpunimi për integrimin

26/03/2014 00:00

Ministrja e Integrimeve Evropiane në qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku dhe ministrja e Integrimeve Evropiane në qeverinë e Shqipërisë, Klajda Gjosha kanë nënshkruar të mërkurën në Prishtinë, marrëveshjen e bashkëpunimit për përkthimin e legjislacionit të BE-së në gjuhën shqipe.

Ministrja Çitaku tha se kjo marrëveshje është thellim i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe vjen si ndihmë e madhe në procesin e integrimit evropian.

“Nënshkrimi i marrëveshjes për funksionalizimin e komisionit teknik, për përkthimin e legjislacionit në shqip dhe dorëzimin e tij nga qeveria e Shqipërisë tek ajo e Kosovës shënon një hap konkret në zbatimin e vendimeve të dy qeverive dhe në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, deklaroi Çitaku.

Ndërsa ministrja Gjosha vlerësoi se ky bashkëpunim e tejkalon procesin e integrimeve evropiane të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Sot ne lidhim një marrëveshje të rëndësishme për bashkëpunimin e përbashkët, përmes ngritjes së një grupi teknik për përkthimin e legjislacionit. Kjo do të ndihmojë procesin e integrimit të shqiptarëve të Kosovës dhe qeverinë kosovare për të çuar këtë proces përpara”, tha Gjosha.

Nga 100 mijë faqe të akteve primare dhe sekondare, sa duhet përkthyer, qeveria shqiptare i dhuroi Kosovës 1000 faqe me 137 akte të përkthyera në gjuhën shqipe.

Të dyja ministret u morën vesh për bashkimin e burimeve njerëzore dhe atyre financiare, për përkthim të legjislacionit, në hapat e ardhshëm drejt integrimit evropian. U bë e ditur se materiali i përkthyer do t’i jepet edhe Maqedonisë, pasi gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në këtë shtet.

Në anën tjetër, e pyetur lidhur me MSA-në, ministrja Çitaku tha se 9 nga 10 titujt janë përmbyllur, ndërsa raundi i fundit i negocimit për MSA-në pritet të mbahet në pjesën e parë të muajit prill.

Top Channel