Papa Françesku është ikona e momentit. Përdor vazhdimisht Twitter-in për të komunikuar me ndjekësit e tij (12 milionë ndjekës nga e gjithë bota), është personazhi më i klikuar në rrjetin ndërkombëtar dhe, i ambientuar në mënyrë perfekte me epokën e internetit dhe të rrjeteve sociale, bën një “selfie” kujtimi me studentë.
Një Papë, bir i kohës së sotme moderne dhe inovative me teknologjinë.
Françesku është suksesi mediatik i momentit, është bërë madje edhe një aktor komik për më të vegjlit, është portretizuar si një superhero në një grafit në Romë, ndërsa “Time” dhe revista muzikore “Rolling Stone” i kanë dedikuar një kopertinë.
Teknologjitë e reja përfaqësojnë një mundësi të madhe edhe për Kishën. Pikërisht për këtë, Papa Françesku është i vetëdijshëm. Thuajse çdo ditë, nëpërmjet 140 karakteresh, kryen një kontakt të drejtpërdrejtë me ndjekësit e tij në Twitter (@Pontifex), me një përkthim në 8 gjuhë të botës, përfshi edhe latinishten.
Papës së ri i pëlqen të qëndrojë mes njerëzve, jo vetëm në rrjetin social. Siç tregon disponueshmëria e madhe për të bërë një “selfie”, një vetëfotografim me një grup djemsh, foto që më pas publikohet në ëeb dhe merr dhenë… Një xhest i thjeshtë që, ndoshta ka ndihmuar neologjizmin “selfie” të hyjë në fjalorin anglisht të Oksfordit.
Përtej ndjekjes së madhe në rrjetin social, Papa Françesku ka rezultuar edhe si “personazhi i vitit” në Internet (Rrjetin Ndërkombëtar). Sipas një studimi të prezantuar në fillim të vitit 2014, Papa, në krahasim me liderët më të mëdhenj të botës, rezulton të jetë personi me numrin më të lartë të kërkimeve mujore në Google, si dhe më i përmenduri në rrjete.
Në këtë klasifikim, Barack Obama dhe Edward Snowden zënë vendet dy dhe tre, respektivisht. Papa ka “bekuar” kështu edhe rrjetin. “Është një gjë e mirë, një dhuratë e Zotit, mund të ofrojë më shumë mundësi për takime dhe solidarizim mes të gjithëve”, shpjegon në ditën botërore të komunikimit social, duke nënvizuar se shpejtësia e mesazheve nuk duhet të heqë “kohën dhe mundësinë për të heshtur e për të dëgjuar”.
Top Channel