Kompanitë zvicerane frikësohen nga kuotat për emigrantët

22/02/2014 00:00

I gjendur mes majave të larta të alpeve zvicerane, hoteli “Schweizerhof”
ka ofruar dhoma për skiatorë dhe alpinistë për më shumë se një shekull,
duke përfituar si shumë biznese të tjera të Zvicrës nga lidhjet e
ngushta të këtij vendi me Europën.

Por votimi tronditës javën e kaluar për të kufizuar emigrimin drejt këtij vendi pa dalje në det dhe për të vendosur kuota për punëtorët që vijnë nga vendet e Bashkimit Europian, tashmë rrezikon të izolojë hotelin nga një burim punëtorësh, ku bazohet për të funksionuar.

“Zvicra është tepër e vogël, ne nuk kemi njerëz mjaftueshëm të kualifikuar këto – jo për turizmin, jo për sektorin e shëndetësisë apo për industritë e tjera”, thotë Andreas Zuellig, menaxher i hotelit, i cili është pranë resortit të skive të Lenzerheides dhe ka në stafin e vet 40 për qind të punëtorëve që vijnë nga vendet e BE-së.

Në një vend që varet shumë nga të huajt në të gjithë sektorët e ekonomisë, Zuellig nuk është i vetmi i shqetësuar mbi pasojat e referendumit, të cilin qeveria e Zvicrës e kundërshtoi, por tashmë duhet ta përkthejë në ligj brenda tri viteve.

Përveç industrisë turistike të Zvicrës, edhe shërbimet financiare apo sektori shkencor, të cilat së bashku përbëjnë një të pestën e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), janë tmerruar nga rezultati i votimit.

“Scienceindustries”, shoqata e biznesit që përfaqëson kompanitë zvicerane të farmaceutikës, kimisë dhe bioteknologjisë, thotë se një në çdo pesë punonjës të këtij sektori është nënshtetas i Bashkimit Europian.

“Në terma afatgjata, kjo do të na detyrojë që të investojmë dhe punësojmë më pak njerëz në Zvicër dhe më shumë në operacionet tona jashtë Zvicrës”, thotë Paul Verbraeken, zëdhënës i Evolva, një prodhues ingredientësh për industrinë e shëndetit dhe kozmetikës, e cila punëson rreth 50 vetë në Zvicër, dy të tretat nënshtetas të huaj nga Europa.

Ruedi Noser, kryetar dhe aksioner kryesor i grupit “Noser”, një prodhues programesh elektronike për telekomunikacionin dhe industri të tjera, i bëri jehonë këtij këndvështrimi, duke thënë se kompania e tij ka gjasa të përshpejtojë ekspansionin nëpër botë, si pasojë e këtij referendumi.

“Ishte sakaq e qartë se ne do të duhej të zgjeroheshim jashtë vendit edhe më herët, por votimi e bëri domosdoshmëri dhe shumë të rëndësishme për kompaninë tonë”, thotë Noser, i cili punëson 420 njerëz në Zvicër, 70 në Gjermani, dhjetë në Amerikën e Veriut dhe shtatë në Azi.

Analistët te “Credit Suisse” vlerësojnë se ekonomia e Zvicrës në tërësi mund të gjenerojë 80 mijë vende pune më pak përgjatë tri viteve të ardhshme, si pasojë e referendumit.

Frikë për financime

Emigrantët kanë ndihmuar në krijimin e Zvicrës si histori suksesi, përfshirë themeluesin e gjigantit “Swatch”, Nikolas Hajek (Nicolas Hayek), i cili pati lindur në Liban apo Henri Nestle, i lindur në Gjermani, i cili themeloi kompaninë më të madhe në botë për ushqime dhe pije.

Te një kompani e re bioteknologjike, “InSphero”, prodhues i strukturave të qelizave tredimensionale të përdorura për të testuar ilaçe në teste paraklinike, rreth 80 për qind e njerëzve që aplikojnë për vendet vakante të punës janë jozviceranë, thotë themeluesi dhe drejtori i kompanisë, Jan Lishtenberg (Lichtenberg), i cili është gjerman.

Lishtenberg nuk është i shqetësuar vetëm për vijën e kuqe të krijuar nga kuotat që do ta bëjnë më të vështirë punësimin e talenteve të reja, por edhe i shqetësuar për kundërmasat që Bashkimi Europian po mendon të ndërmarrë si reagim ndaj tërheqjes së Zvicrës nga traktati i lëvizjes së lirë. Këto kundërmasa mund të kthehen në pengesa për eksportuesit.

“Nëse i merr të gjitha bashkë, të tilla si vlera e lartë e frangës zvicerane dhe pastaj kostot shtesë eksportuese e importuese, këto nuk do të ndihmojnë për ta ruajtur aftësinë konkurruese të ekonomisë së Zvicrës, thotë Lishtenberg, kompania e të cilit realizon rreth 50 për qind të të ardhurave nga shitjet në Europë.

Ai është gjithashtu i shqetësuar se kompania, e cila merr rreth 1 milion franga zvicerane financime nga BE-ja, mund të përjashtohet nga programet e ardhshme të financimeve në rast se marrëveshjet dypalëshe të Zvicrës me bllokun me 28 vende anëtare fillojnë të tronditen.

Komisioni Europian njoftoi së fundmi se do të shtyjë për më vonë bisedimet me Zvicrën mbi pjesëmarrjen e këtij vendi në një projekt kërkimor shumë miliardësh në skemat e arsimit, program që jep fonde për projekte shkencore në fusha të tilla si teknologjia e informacionit, shëndetësia dhe nanoshkenca.

“Çdo gjë që nuk do të dalë në treg përgjatë 12-18 muajve të fundit është aktualisht kërkim që financohet nga projektet europiane. Nëse ne nxirremi jashtë tyre, atëherë do të duhet të kërkojmë para nga burime të tjera”, tha ai.

Megjithatë, disa kompani zvicerane shohin një fije shprese te votimi.

Anet Heimlisher (Annette Heimlicher), drejtoreshë ekzekutive e “Contrinex”, një prodhues sensorësh për automatizimin e fabrikave, thotë se sistemi aktual e bën të vështirë punësimin e specialistëve joeuropianë, një problem për këtë kompani, e cila shet një pjesë të madhe të produktit të vet në Azi.

“Nëse ne përqendrohemi në Europë për punësimin e europianëve, nuk do të jemi konkurrues në Azi në vitet e ardhshme”, thotë ajo. Kompania e saj punëson 500 njerëz, përfshirë inxhinierë të specializuar dhe menaxherë produktesh nga Azia.

Ajo shpreson që referendumi të sjellë krijimin e një sistemi më eficient, i cili mund të rrisë rekrutimet e njerëzve jashtë BE-së.

Top Channel