Qeveria: Të rimëkëmbim institucionet

10/02/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga disa ministra, turin e vizitave në qytete të ndryshme të vendit e vijoi në Korçë.

Kreu i Qeverisë gjatë vizitës në Qendrën Rinore të këtij qyteti u përball me një godinë pothuajse të degraduar, ku dominojnë muret e rëna dhe lagështia.

“Kjo është gjithçka që ofronte Qeveria e kaluar, për argëtimin rinor, një fizarmonikë, një organo dhe një kaluç”, tha ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

“Bashkia vazhdimisht e ka kërkuar që ky institucion të menaxhohej nga Bashkia. Kjo ndërtesë është katandisur në një relike, ku duket se ka ndaluar ora që në vitin 1990. Nuk i është njohur asnjëherë Bashkisë si e drejtë për ta menaxhuar, por ka një mundësi të madhe që duke u çliruar edhe nga zyrat e Pyjores, të kthehet në një qendër të jashtëzakonshme rinore”, tha zëvendëskryeministri Niko Peleshi.

E njëjta panoramë degradimi edhe në Zyrën e Punës e vendosur në periferi të qytetit, e cila si të gjitha zyrat e punës është jashtë funksionit dhe misionit të saj.

“Ne këtu kemi bërë si sanduic tre shërbime, të cilat nuk funksionojnë siç duhet. Zyra e Punës nuk është afër qytetarëve, por është në periferi. Ideja është që Qendra e Formimit Profesional të përdorë gjithë godinë për kurse non stop 24 orë, kurse Zyra e Punës të dalë në një ambient publik, pra të jetë e aksekueshme nga qytetarët. Këtu asnjë nga shërbimet nuk funkionon sic duhet dhe ndërtesa është tërësisht e rrënuar”, tha Veliaj.  

Ndërsa Shtëpia e të Moshuarve e Korçës falë një bashkëpunimi të bashkisë së qytetit, fondacioneve të ndryshme dhe organizatave jo qeveritare, është vlerësuar nga kryeministri Rama, si një model që duhet përhapur në të gjithë vendin.

“Tani i gjithë qyteti është krenar që kemi qendrën më të mirë në Shqipëri për të moshuarit. Qeveria, shteti ka shumë institucione që janë në gjendje të degraduar, objektet që rrinë kot dhe nëqoftëse si aset në këtë bashkëpunim, pra duke bashkuar forcat me shoqatat e fondacioneve të ndryshme, ne mund t’i sjellim këto standarde”, tha Peleshi.

Vizita e Kryeministrit Rama në qarkun e Korçës vazhdon të hënën me të tjera inspektime.

Top Channel