Debati për ndërtimin e rrugëve

10/02/2014 00:00

Partia Demokratike thotë se Kryeministri Edi Rama po ispekton punët e
nisura nga qeverisja e Partisë Demokratike, për të cilat votoi kundër sa
herë miratohej buxheti për ndërtimin e tyre.

Sipas opozites, Kryeministri po e ben tani kete, sepse ai nuk ka asnje projekt as per zhvillimin e vendit dhe as per punesimin e shqiptareve.

“Sot, kur ka braktisur të gjitha premtimet e fushatës, kur ka dështuar të nisë qoftë edhe një projekt të ri apo të krijojë një vend të ri pune, Rama ka stisur turin e inspektimeve të punëve të nisura në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike. Kryeministri Rama nuk ka vend ku të falet dhe po falet aty ku më parë ka vjellë vrer. Në opozitë, Edi Rama bëri gjithcka për të bllokuar projektet e zhvillimit dhe votoi kundër çdo investimi në rrugë e infrastrukturë. Madje ai tallej me ndërtimin e akseve kombëtare, rajonale e rurale në vend”, tha zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi.

Ky pretendim i demokratëve është hedhur poshtë nga PS, e cila nëpërmjet Sekretarit Organizativ Blendi Klosi thotë se rruga Lin-Pogradec duhet të kishte mbaruar në qershor të vitit 2013, por për shkak të keqqeverisjes së Partisë Demokratike ende sot është një kantier i hapur.

“Rruga Lin-Pogradec duhet të kishte mbaruar në qershor të vitit 2013, por për shkak të keqqeverisjes së PD-së ende nuk ka përfunduar. E lënë në mëshirë të fatit të borxhit të akumuluar nga Qeveria e mëparshme, jo vetëm që nuk ka përfunduar, por vazhdonte të degradonte. Puna ka nisur falë garancisë që kompania e ndërtimit të rrugës ka marrë nga qeveria e re, se borxhi i krijuar nga qeveria e mëparshme do të shlyhet. Reagimet e sotme nga zyrat e mëkëmbësit për të mbrojtur padrinon, që i bëri rrush e kumbulla paratë e shqiptarëve duke prere shirita për rrugë që mbetën rrugëve, janë sa qesharake aq edhe të mjaftueshme për të kuptuar edhe njëherë revoltën e 1 milion votave të 23 qershorit”, tha Klosi.

Sot sfida e Kryeministrit Edi Rama,- theksoi Klosi,- është që kantieret e ndërtimit të zhbllokohen të gjitha, borxhet të lahen dhe të fillojë puna, jo vetëm për ndërtimin e rrugëve, por mbi të gjitha për të patur rrugë cilësore me standarde.

Top Channel