Që Partia Demokratike të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Administrativo-territoriale, ajo kërkon prova të qarta besimi nga qeveria se është e gatshme të rivendosë konsensusin.

Për kreun e opozitës Lulzim Basha, një provë e tillë është zbatimi i menjëhershëm i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi aktin normativ me të cilin mazhoranca shtyu hyrjen në fuqi të efekteve të ligjit për nëpunësin civil.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese zbatohet, nuk negociohet. Vetëm zbatimi i tij mund të japë garancinë se kjo mazhorancë, të paktën kur kapet në flagrancë përsa i përket shkeljes së Kushtetutës, është në gjendje të reflektojë dhe ta rikthejë procesin në binarë kushtetues. E kundërta është një këmbanë edhe më e madhe alarmi”, u shpreh kreu i PD-së.

Por, sipas zotit Basha, gjatë ditëve të fundit, me kërkesën për të diskutuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në Parlament, qeveria faktoi se jo vetëm nuk është e gatshme të rivendosë konsensusin, por po shkon në drejtimin e kundërt: “Qeveria është kapur duke shkelur Kushtetutën, por kërkon të negociojë për diçka që është shpallur anti-kushtetuese. Është njësoj sikur hajduti, pasi është kapur me sendet e vjedhura, në vend që t’i kthejë, të kërkojë të negociojë për t’i mbajtur edhe pak. Ky është zhvillimi më absurd që mund të imagjinohet.”

Siç e përshkruan atmosferën politike kreu i opozitës, Partia Demokratike e ka të vështirë ta thotë që tani vendimin e saj, nëse ajo do të marrë apo jo pjesë në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm: “PD-ja dhe opozita do të shqyrtojë hap pas hapi të gjitha vendimet në raport me përgjegjësitë që na takojnë për çdo proces duke përfshirë edhe zgjedhjet e ardhshme vendore, por rivendosja e konsensusit është kusht pa të cilin nuk mund të ecet përpara.”

Top Channel