McDonald’s hap dyqanin e parë në Vietnam

08/02/2014 00:00

Gjigandi i ushqimit të shpejtë McDonald’s, që shpesh herë shihet si simbol i kapitalizmit amerikan, ka hapur restorantin e tij të parë në Vietnamin komunist.

Sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve “AFP”, qindra persona kanë mbajtur radhë për hapjen e restorantit në qytetin jugor Ho Chi Minh.

Ho Chi Minh, i njohur si Saigon gjatë luftës, ishte vendi ku u vendos qeveria vietnameze pro-amerikane deri në rënien e saj përballë regjimit komunist 38 vjet më parë.

Restoranti po menaxhohet nga dhëndri i kryeministrit vietnamez. Henry Nguyen kishte shpërndarë hamburger të McDonald’s kur ishte adoleshent në Shtetet e Bashkuara, ku familja e tij kishte emigruar në përfundim të luftës.

Në korrik, pas fitores së një konkursi, ai tha se kishte qenë ëndrra e tij të hapte një fast-food në Vietnam, që kur ishte kthyer rreth një dekadë më parë.

Lëvizja tregon prirjen e qartë të vietnamezëve për marka të huaja si dhe gatishmërinë e qeverisë për të tërhequr investitorë të huaj, komentojnë analistët.

Pavarësisht se ekonomia vietnameze ka pësuar një ngadalësim kohët e fundit, markat e huaja janë shumë të përhapura në radhët e të rinjve, ndryshe nga prindërit e tyre që stilin e të ngrënit dhe jetesës e kishin shumë të kufizuar.

Kompani të tjera amerikane si “Starbucks”, “Subway”, “Burger King” dhe “KFC” kanë prej kohësh filialet e tyre në vendin aziatik.

Top Channel