Kreu i Kuvendit Ilir Meta, së bashku me përfaqësuesit e maxhorancës
konstituuan Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën  Territoriale
të vendit.

Pavarësisht dhënies kohë dhe ftesave të shumta përfshi atë Kryeministrit Edi Rama, opozita nuk ndryshoi qëndrim duke mos marrë pjesë në këtë mbledhje të parë të këtij komisioni.

“Domosdoshmëria e realizimit të reformës territoriale është e jashtëzakonshme dhe e them me bindje që kësaj reforme i ka kaluar koha. Unë dua të theksoj edhe njëherë tjetër vullnetin e plotë të mazhorancës për ta bërë këtë reformë së bashku me opozitën, e cila është shprehur në të kaluarën për realizimin e kësaj reforme, pavarësisht se nuk i ka pasur votat për ta bërë këtë gjë. Ndryshimi është se mazhoranca e sotme edhe pse i ka votat kërkon me insistim bashkëpunimin e opozitës, sepse ka nevojë për mendimet e saj, për idetë e saj, por edhe sepse besojmë se kjo është një reformë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha Meta.

Deputeti Bashkim Fino, bashkëkryetar u shpreh se kjo reformë është e vonuar dhe se situata aktuale ku ndodhet pushteti vendor është e papranueshme.

“Ky komision ka tre çështje themelore kryesore përcaktimin e kritereve për ndarjen administrative, hartimin dhe zbatimin e kalendarit për zbatimin e reformës dhe përgatitjen e projektit per ndarjen territoriale qe do ta bejme ne per t’ia paraqitur Kuvendit. Gjithëpërfshirja duhet të jetë kusht per nje reforme te suksesshme me impakt te jetes se qytetarëve. Ne nuk do të rreshtim perpjekjet tona qe koleget tane te opozitës te jene pjese ne kete reforme”, tha Fino.

Në ditët në vijim anëtarët e maxhorancës të këtij Komisioni do të bëjnë publike kalendarin e punimeve të komisionit.

Top Channel